“Turpi nuk ka kufi”, Antibixhozi i zhgënjyer nga deputetët pasi nuk i miratuan ndryshimet në Ligjin për lojërat e fatit
Pasi ndryshimet në ligjin për Lojërat e fatit nuk morën vota të mjaftueshme nga deputetët e Maqedonisë së Veriut, të njëjtat ngelën në pa miratuara. Nga Lëvizja “Antibixhoz” thonë se janë të zhgënjyer nga deputetët, të cilët premtojnë por nuk realizojnë, shkruan Portalb.mk.
Antibixhozi thekson se janë të zhgënjyer nga tallja dhe dhunimi intelektual që kryhet ndaj popullatës dhe tyre.
“U vërtetua shqetësimi dhe brenga jonë e kamotshme të cilën e kemi ndarë me të gjithë ju: flitet për transparencë e nga ana tjetër punohet pas shpine, premtohet e nuk realizohet, zotohet e nga ana tjetër tradhtohet. Turpi nuk ka kufi”, thanë nga Antibixhozi.
Ata pyesin se mos vallë deputetët pritën që Lëvizja Antibixhoz të sigurojë votat e nevojshme për votimin e propozim ligjit për lojërat e fatit.
“Nga ana tjetër kur duhet të mbrojnë interesat individuale po ata “të zgjedhurit tanë” shumë lehtë i harmonizojnë qëndrimet mes veti dhe arrijnë votim rekord deri në 90 vota (pro interesave personale). Me rastin e propozim ligjit në fjalë të gjithë subjektet politike u sollën sipas proverbës popullore : ” Un nuk e di si është por edhe ti si thua nuk është “Secili mbron qëndrimin e vet, secili mbron vetveten, e në fakt në këtë mënyrë mbrohen mes veti (duke u sharë)”, thanë nga Antibixhozi.
Ndryshimet në Ligjin për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese në lexim të tretë me 13 mars 2024 nuk u miratuan, pasi për to nevojiteshin 61 vota ndërsa vetëm 51 deputetë votuan pro, me çka procedura për këtë ligj përfundoi.
Ndryshimet ligjore së pari u miratuan nga Kuvendi më 7 shkurt, me procedurë të përshpejtuar njohur ndryshe si “procedura me flamur evropian”, por presidenti i shtetit Stevo Pendarovski nuk e nënshkroi dekretin prandaj ky ligj u kthye te deputetët në lexim të tretë, të cilët duhej të siguronin 61 vota.
Ndryshimet ligjore parashihnin që lokalet afariste në të cilat organizohen lojërat e fatit në një bastore dhe në klubin e automateve, lotaria në ambiente të mbyllura dhe lojërat elektronike të fatit duhet të vendosen në një distancë prej jo më pak se 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme.
Lëvizja Antibixhoz disa herë ka organizuar protesta për largimin e objekteve të lojërave të fatit nga vendbanimet por kanë kërkuar edhe mbylljen e plotë, por pavarësisht ngritjes së zërit, autoritetet deri më tani nuk i kanë zbatuar kërkesat e tyre.