September 8, 2024
Rajon - Botë

Trump zyrtarisht kandidat i republikanëve për president, J.D. Vence për nënpresident

Kandidati i pritur republikan për president të SHBA-së, Donald Trump, e ka përzgjedhur senatorin republikan nga Ohajo James David Vance si kandidat për nënpresident në garën për zgjedhje presidenciale në Shtetet e Bashkuara, të cilat do të mbahen në nëntor të këtij viti.

Kandidatura e Trumpit pritet të zyrtarizohet në Konventën e Republikanëve, që ka nisur të hënën në Milluaki të Uiskonsinit.

Ndonëse Vance – i lindur si James David Bowman – në të kaluarën ka qenë ndër kritikët për të ashpër të Trumpit, ai e ka ndryshuar qëndrimin për të, duke u kthyer në njërin prej mbrojtësve më të zëshëm.

Trump e ka bërë të ditur emrin e kandidatit të përzgjedhur në rrjetin e tij social, Social Truth.

“Pas diskutimeve të gjata dhe analizave, dhe pas shqyrtimit të talenteve të shumë të tjerëve, kam vendosur që njeriu që i përshtatet më së shumti pozitës së nënpresidentit të Shteteve të Bashkuara është senatori J.D. Vance prej Ohajos”, ka thënë Trump.

Shteti i Ohajos konsiderohet bazë e republikanëve.

Vance, një konservator i vendosur, nuk pritet të sjellë më shumë vota në qarkun e Trumpit, dhe madje ka mundësi që të rrisë dilemat te disa votues të moderuar.

Disa mbështetës të Trumpit kanë kërkuar që ai të zgjedhë një grua apo një person me ngjyrë për pozitën e dytë më të rëndësishme në shtet, për të rritur mundësitë e fitores.

Trump e ka bërë këtë njoftim pak pas sulmit ndaj tij në fundjavë, në të cilin ai ka mbetur i plagosur ndërsa një mbështetës i tij në publik është vrarë.

Autoritetet, më pas, e kanë vrarë edhe sulmuesin, ndonëse shkaqet e sulmit nuk dihen ende./REL