September 8, 2024
Rajon - Botë

Trump: Vetëm Zoti e parandaloi të ndodhte e paimagjinueshmja

Kandidati republikan për president Donald Trump nxirret jashtë skenës gjatë një mitingu më 13 korrik 2024 në Butler, Pensilvani. (Foto nga Anna Moneymaker/Getty Images)

Kandidati republikan për president të ShBA-së Donald Trump, është deklaruar për herën e dytë pas atentati të cilit i mbijetoi gjatë tubimit elektoral në Pensilvani.

Trump tha se “vetëm Zoti e parandaloi të ndodhte e paimagjinueshmja”.

Por, ish-presidenti amerikan tha se nuk do të frikësohet.

“Në këtë moment, është më e rëndësishme se kurrë që të qëndrojmë të bashkuar dhe të tregojmë karakterin tonë të vërtetë si amerikanë, duke mbetur të fortë dhe të vendosur dhe duke mos lejuar që e keqja të fitojë”, tha ai.

“Unë me të vërtetë e dua vendin tonë dhe ju dua të gjithëve dhe mezi pres të flas me kombin tonë të madh këtë javë nga Wisconsini”, theksoi Trump.

Ai pritet t’i vazhdojë turnet elektorale.

Të hënë tha se do të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Republikane në Milwaukee.

Atentatori u vra nga snajperistët e shërbimit sekret, teksa u raportua se edhe dy persona u plagosën rëndë.

– “Ngrituni mbi urrejten”: Melania Trump lëshon deklaratën e parë, pas atentatit të burrit të saj

Ish-zonja e parë Melania Trump, lëshoi ​​përgjigjen e saj të parë publike që kur bashkëshorti i saj ish-presidenti amerikan Donald Trump, u plagos në një të shtëna në një nga mitingjet e tij të shtunën.

Ajo duke reflektuar se çfarë do të thotë incidenti për të dhe familjen e saj, i bëri thirrje vendit që “ngritën mbi urrejtjen, dhe idetë e thjeshta që ndezin dhunën”, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

“Tani po mendoj për ju, bashkëkombësit e mi amerikanë. Ne kemi qenë gjithmonë një bashkim unik. Amerika, struktura e kombit tonë të butë është copëtuar, por guximi dhe sensi ynë i shëndoshë duhet të ngjiten dhe të na bashkojnë si një”, shkroi ajo.

“Kur pashë atë plumb të dhunshëm që goditi burrin tim, Donald, kuptova se jeta ime dhe jeta e Barron ishin në prag të ndryshimit shkatërrues. Unë u jam mirënjohës agjentëve të guximshëm të Shërbimit Sekret dhe zyrtarëve të zbatimit të ligjit që rrezikuan jetën e tyre për të mbrojtur burrin tim”, shtoi gruaja e ish-presidentit.

Ajo shprehu ngushëllimet për familjet e të vrarëve dhe të plagosurve në të shtënat dhe e quajti sulmuesin “një përbindësh” ndërsa fliste me dashuri për burrin e saj.

“Një përbindësh që e njohu burrin tim si një makinë politike çnjerëzore u përpoq të nxiste pasionin e Donaldit – të qeshurën, zgjuarsinë, dashurinë për muzikën dhe frymëzimin e tij”, shkroi ish-zonja e parë.

“Aspektet thelbësore të jetës së burrit tim – ana e tij njerëzore – u varrosën poshtë makinës politike. Donaldi, njeriu bujar dhe i kujdesshëm me të cilin kam qenë në kohërat më të mira dhe më të këqija”.

Ajo i bëri thirrje vendit që të zbusë retorikën e ashpër dhe të promovojë unitetin, dhe u kërkoi votuesve që të marrin parasysh anët personale dhe të dashurit e politikanëve në vijimësi.

“Këtë mëngjes, ngrituni mbi urrejtjen, mendjen dhe idetë e thjeshta që ndezin dhunën”.

16:59 – Bideni dhe Harrisi do të marrin informata të përditësuara lidhur me atentatin ndaj Trumpit

Presidenti amerikan Joe Biden, dhe zëvendësja e tij Kamala Harris, do të marrin informacione të përditësuara për atentatin ndaj Donald Trumpit.

Kjo pritet të ndodh gjatë një konference nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe zyrtarët e zbatimit të ligjit të dielën në mëngjes (sipas kohës lokale), tha Shtëpia e Bardhë.

Takimi do të jetë i mbyllur për media, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

Biden u kthye në Shtëpinë e Bardhë të shtunën vonë, në vend që të qëndronte në rezidencën e tij në Rehoboth Beach, Delaware, siç ishte planifikuar fillimisht, për të marrë informacione mbi të shtënat në mitingun e ish-presidentit amerikan Donald Trump.

16:48 – Atentati ndaj Trumpit: Autoritetet përdorën armën për identifikimin e agresorit

Arma e përdorur në të shtënat në mitingun e ish-presidentit Donald Trump të shtunën ishte një armë e llojit AR, sipas një personi të njohur me hetimin.

Autoritetet përdorën armën për të ndihmuar në përcaktimin e identitetit të sulmuesit, pasi ai nuk kishte dokumente identifikimi, sipas burimeve të zbatimit të ligjit, shkruan CNN, përcjell Klankosova.tv.

FBI-ja e ka identifikuar publikisht personin e armatosur si Thomas Matthew Crooks, 20 vjeç, nga Bethel Park, Pensilvani.

Autoritetet thonë se ai qëlloi të shtëna të shumta nga çatia e një ndërtese jashtë vendit të tubimit përpara se të vritej nga agjentët e Shërbimit Sekret.

16:37 – Autoritetet kundërshtojnë pretendimin që Trumpi kërkoi siguri shtesë dhe iu refuzua

Autoritetet që u morën me sigurinë në mitingun e së shtunës në Butler, Pensilvani, ku ish-presidenti amerikan Donald Trump i mbijetoi një atentati, po kundërshtojnë pretendimet se atij iu refuzuan kërkesat për siguri shtesë.

Shërbimi Sekret Amerikan e ka quajtur pretendimin “absolutisht të rremë”.

“Ekziston një pohim i pavërtetë se një anëtar i ekipit të ish-presidentit ka kërkuar burime shtesë të sigurisë dhe se ato janë kundërshtuar. Kjo është absolutisht e rreme. Në fakt, ne shtuam burime dhe teknologji dhe aftësi mbrojtëse si pjesë e rritjes së ritmit të udhëtimit të fushatës”, shkroi Shefi i Komunikimeve të Shërbimit Sekret Anthony Guglielmi në një postim të dielën X në mëngjes.

Edhe FBI, tha se nuk ka pasur kërkesë për siguri shtesë që ishte mohuar ndonjëherë, raporton CNN, transmeton KLankosova.tv.

“Nuk kishte asnjë kërkesë shtesë për sigurinë që ishte mohuar ndonjëherë nga FBI,” tha Kevin Rojek, agjenti special i FBI-së i ngarkuar me zyrën e Pittsburgh, gjatë një konference shtypi të shtunën mbrëma.

Të paktën një ligjvënës, deputeti Mike Waltz i Floridës, ka pohuar publikisht në mediat sociale se kërkesat e Trumpit për siguri të shtuar janë refuzuar.

Sekretari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, lëshoi ​​një deklaratë në lidhje me të shtënat, ku tha se DHS dhe Shërbimi Sekret po punojnë së bashku me zbatimin e ligjit për hetimin.

14:57 – Atentati ndaj Trumpit – ja sa presidentë amerikan u vranë përgjatë historisë

Përpara atentatit për vrasjen e ish-presidentit amerikan, Donald Trump këtë të shtune, ka pasur edhe vrasje të tjera të presidentëve amerikanë.

Abraham Lincoln ishte presidenti i parë që u vra, i qëlluar nga John Wilkes Booth më 14 prill të vitit 1865, ndërsa ai dhe gruaja e tij, Mary Todd Lincoln, ndoqën një shfaqje speciale të komedisë “Kushëriri ynë amerikan” në Teatrin Ford në Uashington.

James Garfied, presidenti i 20-të, ishte presidenti i dytë që u vra, gjashtë muaj pas marrjes së detyrës. Ai po ecte nëpër një stacion treni në Uashington më 2 korrik 1881, për të kapur një tren për në New England kur u qëllua nga Charles Guiteau, raporton AP, transmeton Klankosova.tv.

William McKinley, presidenti i 25-të, u qëllua pasi mbajti një fjalim në Buffalo, Nju Jork, më 6 shtator 1901. Ai po shtrëngonte duart me njerëzit që kalonin nëpër një linjë pritjeje, kur një burrë qëlloi dy herë në gjoksin e tij. Mjekët kishin pritur që McKinley të shërohej, por më pas u shfaq gangrena rreth plagëve të plumbave.

Presidenti, John F Kennedy u qëllua për vdekje nga një vrasës i fshehur i armatosur me një pushkë me fuqi të lartë teksa ai vizitoi Dallasin në nëntor 1963 me zonjën e parë Jacqueline Kennedy. Të shtënat shpërthyen teksa autokolona e presidentit kaloi nëpër Dealey Plaza në qendër të Dallasit.

14:43 – Trump thotë se duhet të “qëndrojmë të bashkuar” pasi i mbijetoi atentantit

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump postoi sërish këtë mëngjes në platformën e tij “Truth Social”, pasi i mbijetoi atentatit në tubimin e tij të djeshëm në Pensilvani, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

“Në këtë moment, është më e rëndësishme se kurrë që të qëndrojmë të bashkuar dhe të tregojmë karakterin tonë të vërtetë si amerikanë, duke mbetur të fortë dhe të vendosur dhe duke mos lejuar që e keqja të fitojë”, tha ai.

“Unë me të vërtetë e dua vendin tonë dhe ju dua të gjithëve dhe mezi pres të flas me kombin tonë të madh këtë javë nga Wisconsin”.

Trump pritet të vazhdojë të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Republikane në Milwaukee, e cila fillon të hënën.

14:41 – “Më lini t’i marr këpucët”, këto ishin fjalët e Trumpit pak sekonda pasi u qëllua

Pak çaste pasi u qëllua në një tubim, ish-presidenti amerikan, Donald Trump u pa me gjak në vesh dhe faqe teksa u largua me nxitim nga skena.

Por, një audio të publikuar nga CNN, dëgjohen fjalët e Trumpit, vetëm disa sekonda pas sulmit ndaj tij, transmeton Klankosova.tv.

“Më lini t’i marr këpucët, është shprehur ish-presidenti amerikan.

Biseda e plotë mes Trump dhe agjentëve:

Trump: Më lini t’i marr këpucët e mia.

Agjenti: Të kuptova zotëri, të kuptova.

Trump: Më lini t’i marr këpucët e mia.

Agjenti tjetër: Prisni, koka juaj është e gjakosur.

Trump Më lini t’i marr këpucët.

Agjentja: Në rregull.

Trump: Prit, prit, prit.

Fjalët e Trumpit pak sekonda pasi u qëllua

13:29 – Konjufca për atentatin ndaj Trumpit: Sulm ndaj demokracisë dhe pluralizmit politik

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është shprehur i shokuar ndaj atentatit për vrasje të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Konjufca thotë se ky atentat është sulm ndaj demokracisë dhe pluralizmit politik, përcjell Klankosova.tv.

“Ky atentat është një sulm ndaj demokracisë dhe pluralizmit politik. Falë Zotit, Presidenti Trump i shpëtoi këtij sulmi, ndërsa Amerika sot ka nevojë për bashkim rreth vlerave të saj fundamentale të lirive qytetare dhe politike”, shkroi kryeparlamentari në facebook.

“Populli i Kosovës qëndron pranë popullit amerikan në çdo rrethanë e përballë çdo sfide që synon ta cenojë”, transmeton Klankosova.tv.

13:32 – Zëdhënësi i Kremlinit për sulmin ndaj Trumpit: Ka qenë e qartë se jeta e tij ishte në rrezik

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka folur para gazetarëve për atentatin ndaj kandidatit për president të ShBA-ve, Donald Trump.

Peskov u shpreh se pas përpjekjeve të shumta për të hequr Trumpin nga arena politike, ka qenë e qartë se jeta e tij ishte në rrezik, përcjell Klankosova.tv.

“Ne nuk besojmë se përpjekja për të eliminuar dhe vrarë Trumpin është organizuar nga autoritetet aktuale. Por atmosfera rreth kandidatit Trump… provokoi atë që Amerika po përballet sot”, tha Peskov para gazetarëve.

“Pas përpjekjeve të shumta për të hequr Trumpin nga arena politike – duke përdorur mjetet e para ligjore, gjykatat, prokurorët, përpjekjet për të diskredituar politikisht dhe kompromentuar kandidatin – ishte e qartë për të gjithë vëzhguesit e jashtëm se jeta e tij ishte në rrezik”.

Agjencia e lajmeve Tass raportoi se presidenti rus, Vladimir Putin nuk planifikon të telefonojë menjëherë Trumpin për të shtënat.

12:51 – Sulmi ndaj Trumpit: Dëshmitari pa të armatosurin duke lëvizur “nga çatia në çati”

Një dëshmitar pretendon se iu tha oficerëve se kishte parë një person të armatosur që lëvizte “nga çatia në çati”, pak çaste përpara atentatit ndaj ish-presidentit Donald Trump në një tubim në Pensilvani të shtunën.

Ben Macer ishte përgjatë një linje gardhi kur pa “djaloshin duke lëvizur nga çati në çati. (Unë) i thashë një oficeri se (vrasësi i supozuar) ishte në çati,” sipas degës së CNN “KDKA”, transmeton Klankosova.tv.

“Kur u ktheva për të shkuar atje ku isha, ishte koha kur filluan të shtënat, dhe më pas ishte thjesht kaos, dhe ne të gjithë dolëm duke ikur, dhe kaq ishte,” tha Macer për KDKA.

Autoritetet kanë identifikuar personin e armatosur të përfshirë në sulmin si 20-vjeçarin Thomas Matthew Crooks, i cili u vra nga agjentët e Shërbimit Sekret në vendngjarje pas të shtënave, transmeton Klankosova.tv.

FBI –ja tha se ai është banor i Bethel Park, Pensilvani – rreth 35 milje në jug të Butler, ku Trump po mbante tubimin e tij.

12:29 – Krasniqi dënon tentim vrasjen ndaj ish-presidentit Trump
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka dënuar tentim vrasjen ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump gjatë tubimit të tij zgjedhor mbrëmë dhe i ka uruar atij rikuperim të shpejtë.
“Jam thellësisht i tronditur nga atentati ndaj ish-Presidentit Donald Trump gjatë tubimit të tij zgjedhor në Butler të shtetit Pennsylvania. Akte të tilla të dhunës janë të papranueshme dhe paraqesin sulm direkt ndaj demokracisë”.
“Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, e dënojmë ashpër këtë sulm dhe solidarizohemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këto momente shqetësuese.
Mendimet dhe lutjet tona janë me ish-Presidentin Trump, familjen e tij dhe popullin amerikan. Urojmë që ish-Presidenti Trump të rikuperohet shpejtë nga ky sulm i rëndë ndaj tij dhe t’i rikthehet aktiviteteve të fushatës zgjedhore. Kosova dhe qytetarët tanë mbeten të palëkundur në mbështetjen tonë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai, transmeton Klankosova.tv.
11:25 – Kush është sulmuesi i Donald Trumpit, Thomas Matthew Crooks?

Autoritetet kanë identifikuar personin e armatosur të përfshirë në sulmin kundër ish-presidentit amerikan Donald Trump të shtunën si 20-vjeçarin Thomas Matthew Crooks, i cili u vra nga agjentët e Shërbimit Sekret në vendngjarje pas të shtënave.

FBI e emëroi atë si Crooks në një deklaratë herët në mëngjes të së dielës, duke e identifikuar atë si banor të Bethel Park, Pensilvani –në jug të Butler, ku Trump po mbante tubimin e tij.

Crooks u diplomua nga shkolla e mesme Bethel Park në vitin 2022, sipas një raporti të medias lokale dhe një video të fillimit të shkollës.

Ai ishte regjistruar për të votuar si republikan, sipas një listimi në bazën e të dhënave të votuesve të Pensilvanisë që përputhej me emrin, moshën dhe një adresë të Bethel Park që forcat e rendit po kërkonin të shtunën mbrëma dhe lidhet me Crooks në të dhënat publike.

Zgjedhjet presidenciale të këtij viti do të ishin të parat në të cilat ai ishte mjaft i rritur për të votuar.

Të dhënat e Komisionit Federal të Zgjedhjeve tregojnë se një donator i listuar si Thomas Crooks me të njëjtën adresë i dha 15 dollarë një komiteti të veprimit politik të linjës demokratike të quajtur Projekti Progresiv i Pjesëmarrjes në Janar 2021.

Babai i Crooks, Matthew Crooks, tha për CNN se ai po përpiqej të kuptonte “çfarë dreqin po ndodh”, por do të “priste derisa të flise me forcat e rendit” përpara se të fliste për djalin e tij.

11:10 – Rama për atentatin ndaj Trumpit: Tragjedi për botën demokratike

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama për sulmin ndaj ish-presidentit të ShBA-ve, Donald Trump, ka thënë se është shqetësuese të dëgjosh një lajm të tillë.

Ndër të tjera, Rama shprehet se kjo është një tragjedi për botën demokratike, përcjell Klankosova.tv.

“Është shqetësuese të shohësh që një kandidat për president të Shteteve të Bashkuara të qëllohet gjatë një tubimi dhe të dëgjosh se një pjesëmarrës ka vdekur, dhe disa të tjerë kanë mbetur të plagosur. Kjo është një tragjedi për botën demokratike. Mendimet e mia shkojnë për ish-presidentin Trump dhe familjen e tij. Ne të gjithë shpresojmë se kjo ngjarje e tmerrshme do të bashkojë Amerikën dhe të gjithë njerëzit e botës demokratike kundër të gjitha formave të dhunës”, ka shkruar Rama në X.

10:28 – Osmani për sulmin ndaj Trumpit: Çdo lloj dhune politike është absolutisht e papranueshme

Presidentja Vjosa Osmani ka dënuar sulmin ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

“Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me ish-presidentin, Donald Trump, familjen e tij dhe të gjithë amerikanët e prekur nga të shtënat në mitingun e Pensilvanisë”.

“Çdo lloj dhune politike kudo është absolutisht e papranueshme dhe ne e dënojmë ashpër atë”, ka shkruar Osmani në platformën X, transmeton Klankosova.tv.

Kujtojmë se sulmuesi dhe një person që ishte pjesëmarrës në tubimin e Pensilvanisë janë vrarë gjatë atentatit të së shtunës, njofton Klankosova.tv

09:42 – Stoltenbergu dënon tentativën për vrasje ndaj Trumpit

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg është shprehur i tronditur nga tentativa për vrasje ndaj ish-presidentit të ShBA-ve, Donald Trump.

Ai ndër të tjera ka dënuar këtë sulm, dhe shprehet se dhuna politike nuk ka vend të demokraci, përcjell Klankosova.tv.

“Aleatët e NATO-s qëndrojnë së bashku për të mbrojtur lirinë dhe vlerat tona”, shkroi më tej Stoltenberg në X.

09:23 – Zelensky për sulmin ndaj Trumpit: Dhuna e tillë nuk ka vend askund në botë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, për atentatin ndaj ish-homologut të tij amerikan, Donald Trump është shprehur i tmerruar.

Lidhur me këtë, presidenti ukrainas ka thënë se një dhunë e tillë nuk ka justifikim dhe nuk ka vend askund në botë, përcjell Klankosova.tv.

“Jam i lehtësuar kur mësova se Donald Trump tani është i sigurt dhe i uroj një shërim të shpejtë. Ngushëllimet e mia shkojnë për të afërmit e viktimës së këtij sulmi, një pjesëmarrës në tubim. Uroj që Amerika të dalë më e fortë nga kjo”, ka shkruar Zelensky në X.

I am appalled to learn about the shooting of former U.S. President Donald Trump at his rally in Pennsylvania. Such violence has no justification and no place anywhere in the world. Never should violence prevail. I am relieved to learn that Donald Trump is now safe and wish him… — Volodymyr Zelenskyy / Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) July 14, 2024
09:15 – Përmbledhje e asaj që dihet deri më tani për atentatin ndaj Trumpit

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump u nxor nga skena gjatë një mitingu në Pensilvani pasi një person i armatosur qëlloi disa herë nga një “pozicion i ngritur” disa orë më parë.

Më poshtë e gjeni një përmbledhje rreth asaj se çka dihet deri më tani për rastin

Trump tha se një plumb shpoi “pjesën e sipërme” të veshit të tij të djathtë, në një postim në rrjetet sociale

Një person ka mbetur i vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur. Të tre viktimat janë meshkuj të rritur, sipas organeve të rendit

FBI e ka identifikuar të armatosurin e dyshuar, i cili u qëllua dhe u vra nga Shërbimi Sekret, si 20-vjeçari Thomas Matthew Crooks, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Në një konferencë të mëparshme për shtyp, oficeri në terren i FBI-së, Kevin Rojek konfirmoi se incidenti po trajtohej si një atentat.

Policia e Shtetit tha se është “shumë herët” për të përcaktuar se çfarë ndodhi pasi “gjithçka u shpalos shumë shpejt”

Rojek vlerësoi shërbimin sekret në vend dhe partnerët shtetërorë dhe lokalë, duke thënë se ata reaguan “menjëherë”

Policia e Shtetit tha se po ndjek njoftimet se një dëshmitar e pa sulmuesin në çati

09:06 – Hoti për atentatin ndaj Trumpit: Dhuna politike nuk duhet toleruar

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka shprehur keqardhje për atentatin ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Ndër të tjera, Hoti ka dënuar këtë aktë, përcjell Klankosova.tv.

“Dhuna politike nuk duhet toleruar. Demokracia duhet mbrojtur me çdo kusht. Raste të tilla na tregojnë se asnjë demokraci, sado e konsoliduar që është, nuk është e pacenueshme”, shkroi Hoti në Facebook.

“Është inspiruese dhe leksion për të gjithë bashkimi i skenës politike në Amerikë në dënimin e sulmit dhe në vendosmërinë për mbrojtje të fjalës së lirë dhe demokracisë”.

08:55 – Kurti dënon atentatin ndaj Trumpit, i uron shërim të shpejt dhe shpreh ngushëllime për të vrarin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka dënuar atentatin ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Ai i ka uruar shërim të shpejt Trumpit si dhe ka shprehur ngushëllime për të vrarin, i cili ishte pjesë e publikut, përcjell Klankosova.tv.

“Bashkohem me liderët e tjerë botërorë në dënimin e atentatit të tmerrshëm kundër ish-presidentit amerikan, Donald Trump. I uroj shërim të plotë dhe të shpejtë atij dhe të tjerëve të plagosur si dhe dërgoj ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen e të vrarit”.

“Mosmarrëveshjet politike në një demokraci duhet të shprehen gjithmonë përmes formave paqësore të fjalës dhe protestës dhe të zgjidhen me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pa përjashtime”, ka shkruar Kurti.

08:36 – Identifikohet i dyshuari për sulmin ndaj Trumpit, ishte një 20-vjeçar

FBI e ka identifikuar 20-vjeçarin, Thomas Matthew Crooks si “të dyshuarin e përfshirë” në tentativën për vrasjen e ish-presidentit Donald Trump.

Kështu tha agjencia në një deklaratë të dielën, sipas Reuters dhe Associated Press, transmeton Klankosova.tv.

Ndërkaq, ish-presidenti është liruar nga spitali, dhe ka reaguar pas atentatit ndaj tij.

08:06 – Departamenti i Sigurisë Kombëtare po heton të shtënat në tubimin ku u plagos Trumpi

Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) po heton të shtënat në një tubim ku ishte edhe Donald Trump, i cili u plagos në vesh.

Kështu ka bërë të ditur sekretari Alejandro Mayorkas në një deklaratë, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

“DHS dhe Shërbimi Sekret po punojnë me partnerët e zbatimit të ligjit për t’iu përgjigjur dhe hetuar të shtënave”

“Ne jemi të angazhuar me presidentin Biden, ish-presidentin Trump dhe po marrim çdo masë të mundshme për të garantuar sigurinë dhe sigurinë e tyre”, është shprehur tutje ai.

08:01 – Trumpi është liruar nga spitali

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump është liruar nga spitali në të cilin ishte dërguar fillimisht, pas sulmit ndaj tij që u qëllua në vesh.

Kështu kanë bërë të ditur burime të BBC-së, të cilat thanë se ende nuk është e qartë se ku ka shkuar ish-presidenti, transmeton Klankosova.tv.

Ndryshe, Trump ka reaguar pas atentatit ndaj tij, duke thënë se është qëlluar me një plumb që sipas tij, i shpoi pjesën e sipërme të veshit të djathtë.

07:39 – Ish-presidentit i ShBA-së, Donald Trump ka reaguar pas atentatit ndaj tij.

Ai është shprehur se është qëlluar me një plumb që sipas tij, i shpoi pjesën e sipërme të veshit të djathtë, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Trump ka përshkruar ndjesin e momentit të sulmit, duke thënë se po e ndjente se plumbi po ia çante lëkurën.

“E kuptova menjëherë se diçka nuk shkonte në atë që dëgjova, një zhurmë, të shtëna, dhe menjëherë ndjeva se plumbi po çante nëpër lëkurë”.

“Kisha shumë gjakderdhje, kështu që atëherë kuptova se çfarë po ndodhte”, është shprehur Trump.

02:13 – Biden pas atentatit ndaj Trumpit: Gëzohem që është mirë – s’ka vend për këtë lloj dhune në Amerikë

Presidenti i ShBA-ve, Joe Biden, ka reaguar ndaj atentatit kundër kandidatit republikan për president, Donald Trump.

Biden tha se gëzohet që Trump është tashmë i sigurt dhe se është mirë.

“Jam i gëzuar që dëgjoj se ai është i sigurt dhe po shkon mirë. Unë jam duke u lutur për të dhe familjen e tij dhe për të gjithë ata që ishin në tubim, ndërsa presim informacione të mëtejshme”, shkroi Biden, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, Biden tha se i është mirënjohës Shërbimkt Sekret, të cilët i ofruan siguri Trumpit.

“Nuk ka vend për këtë lloj dhune në Amerikë. Ne duhet të bashkohemi si një komb për ta dënuar atë”, shkroi Biden.

Tashmë është konfirmuar se sulmuesi i Trumpit është vrarë, e po ashtu edhe një pjesëmarrës në tubim ka mbetur i vdekur.

01:53 – Obama: Edhe pse s’e dimë saktë çka ndodhi, jemi të lehtësuar që Trumpi s’u lëndua seriozisht

Ish-presidenti i ShBA-së, Barack Obama, ka reaguar pas incidentit ku ish-presidenti Donald Trump, u qëllua me armë.

Obamatha se nuk ka absolutisht vend për dhunë në politikën dhe demokracinë amerikane.

“Edhe pse ne nuk e dimë ende saktësisht se çfarë ndodhi, të gjithë duhet të jemi të lehtësuar që ish-presidenti Trump nuk u lëndua seriozisht dhe ta përdorim këtë moment për t’iu përkushtuar ndaj civilizimit dhe respektit në politikën tonë. Michelle dhe unë i urojmë shërim të shpejtë”, tha Obama, transmeton Klankosova.tv.

Është konfirmuar se sulmuesi i Trumpit është vrarë, e po ashtu i vdekur ka mbetur edhe një nga mbështetësit e Trumpit.

01:44 – Vritet sulmuesi i Trumpit

Dy persona kanë mbetur të vdekur pas sulmit ndaj ish-presidentit të ShBA-së, Donald Trump.

Siç shkruan Washington Post, prokurori i qarkut, Richard Goldinger, ka thënë se njëri nga të vrarit është sulmuesi, transmeton Klankosova.tv.

Kurse, personi tjetër që mbeti i vrarë, sipas prokurorit të qarkut, besohet të jetë “dikush në turmë”.

01:28 – Trumpi është i sigurt, kemi nisur hetim për incidentin

Shërbimi Sekret Amerikan ka bërë të ditur se gjendja e Trumpit është e mirë dhe se tashmë ai është i sigurtë.

Po ashtu, Shërbimi Sekret bëri të ditur se pas incidentit që ndodhi në Pensilvani në tubimin e Trumpit është nisur një hetim.

Shefi i komunikimit të Shërbimit Sekret Amerikan, Anthony Guglielmi, ka thënë se ish-presidenti i ShBA-së, Donald Trump, është i sigurtë pas incidentit që ndodhi në Pensilvani.

Ai tha se Shërbimi Sekret Amerikan ka hapur një hetim mbi ngjarjen, ku u dëgjuan të shtëna, teksa Trump u pa i gjakosur.

“Një incident ndodhi mbrëmjen e 13 korrikut në një tubim të Trumpit në Pensilvani. Shërbimi Sekret ka zbatuar masat mbrojtëse dhe ish-presidenti është i sigurt. Ky është tani një hetim aktiv i Shërbimit Sekret dhe informacione të mëtejshme do të publikohen kur të jenë të disponueshme”, thuhet në njoftim, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.

00:54 – Të shtëna gjatë tubimit të Trumpit, i shihet gjak në vesh

Gjatë një tubimi të Trumpit në Pensilvani, ndodhi një incident, ku siç raportojnë mediat, u dëgjuan të shtëna armësh.

sh-presidenti i ShBA-së, Donald Trump, është goditur gjatë një tubimi në Pensilvani.

Në pamjet e publikuara në rrjete sociale, dëgjohen të shtëna, teksa agjentët e shërbimit sekret menjëherë e mbuluan Trumpin.

Në video u pa që Trump ishte gjakosur në pjesën e djatht të kokës, teksa menjëherë në podium dolën agjentë të armatosur.

Kandidati republikan për president u ishte drejtuar mbështetësve të tij në Butler, Pensilvani – një shtet i rëndësishëm në zgjedhjet e nëntorit.

U dëgjuan zhurma të shumta ndërsa Trump sulmoi pasardhësin e tij, Presidentin Joe Biden, dhe administratën e tij.

Disa mbështetës që mbanin pankarta që qëndronin pas Trump u kërrysën teksa u dëgjuan të shtënat e dukshme.