Tri ditë pasi lindi, nëna 38 vjeçare bashkë me foshnjën vdesin nga COVID-19 (VIDEO)
Vetëm tri ditë pasi lindi, COVID-19 i mori jetën një 38 vjeçareje dhe foshnjes së saj të sapolindur.
Nëna lehonë po trajtohej në Klinikën Intensive në Prishtinë.
E njëjta para disa ditësh kishte kërkuar trajtim në Spitalin e Pejës, por nga aty ishte transferuar menjëherë në QKUK ku në kuadër të Klinikës së Gjinekologjisë ekziston edhe reparti për shtatzëna të infektuara me COVID-19.
Sipas informacioneve që Klan Kosova ka marrë nga Klinika e Gjinekologjisë në QKUK shtatzënia e viktimës është ndërprerë për shkak të gjendjes së saj të rënduar dhe më pas foshnja ka jetuar vetëm disa ditë.
Sipas informacioneve që kemi marrë nga Gjinekologjia në Prishtinë është ndërprerë dhe foshnja ka jetuar vetëm disa ditë.
Ndërkohë, në repartin e Neonatologjisë në Spitalin e Pejës kanë rezultuar edhe dy foshnje të tjera pozitive me COVID-19 për gjendjen e të cilave ka folur neonatologia Afërdita Panxha.
“Ky varianti Delta si duket është edhe më agresiv. Nuk ka kursyer edhe moshat më të reja. Javën e kaluar dhe këtë javë kemi pasë dy foshnje që kanë rezultuar pozitive. Njëra foshnje ka lindur në repartin tonë nga një nënë e infektuar me COVID-19, mirëpo fatbardhësisht foshnja ka qenë mirë dhe nuk ka manifestuar asnjë simptomë. E kemi mbajtur në observim për tri ditë dhe në gjendje të mirë ka shkuar në shtëpi”.
“Po ashtu kemi pranuar një foshnje dyjavëshe e cila ka ardhur me simptoma dhe e njëjta ka rezultuar pozitive pas testimit. Është trajtuar me terapi simptomatike dhe sot ka shkuar në shtëpi në gjendje të mirë”, ka thënë ajo në “Edicionin Special” në Klan Kosova.
Dr. Panxha ka treguar se nënat e këtyre dy foshnjeve që kanë rezultuar pozitive me koronavirus kanë qenë të pavaksinuara.
Mjeku kujdestar në Spitalin e Pejës, Rexhë Haxhaj, ka treguar më shumë detaje për gjendjen me COVID-19 në përgjithësi në këtë spital.
“Për dallim nga java e kaluar në këto tri ditët e fundit kemi rënie të numrit të pacientëve me COVID-19. Në Spitalin e Pejës aktualisht janë të shtrirë 220 pacientë, ku 170 prej tyre janë me oksigjeno-terapi dhe 70 prej tyre janë në gjendje të rënduar”.
Ai, në “Edicionin Special” në Klan Kosova, ka thënë se rreth 90 % e pacientëve që janë të hospitalizuar nuk janë imunizuar kundër COVID-19.
“Shumica e pacientëve që janë të hospitalizuar, afërsisht 90 % prej tyre, janë pacientë që nuk janë të vaksinuar dhe të cilët paraqesin shenja klinike shumë më të rënda sesa pacientët të cilët kanë marrë vaksinën kundër COVID-19”.