Tre vjet e një muaj burg për pronarin e një portali në Maqedoninë e Veriut
Tre vjet e një muaj burg për pronarin e portalit “DokazM”, Marjan Stamenkovski. Sipas gjykatës, ai përmes portalit të tij ka keqpërdorur të dhënat personale, për të cilat do të duhet të paguajë një gjobë prej 5 mijë eurosh, pra 250 gjoba ditore, përcjell TV21. Gjykata gjithashtu i ka ndaluar kryerjen e veprimtarisë, d.m.th. në 10 vitet e ardhshme ai nuk ka të drejtë të regjistrojë domain.
Gjyqi filloi më 7 mars dhe kundër Stamenkovskit janë ngritur disa kallëzime penale. Ai akuzohet për përhapje të materialit racist dhe ksenofobik përmes sistemit kompjuterik, shantazh, pirateri të veprës audiovizive dhe keqpërdorim të të dhënave personale.
Stamenkovski ishte arrestuar më 9 shkurt të këtij viti dhe i është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa shtëpia e tij është bastisur, ku janë konfiskuar dokumente, celularë dhe pajisjet tjera elektronike, si dhe një shumë e madhe parash.