Kosovë

Tre kosovarë largohen nga Ukraina, MPJ jep detaje

Tre shtetas kosovarë që kanë qenë në Ukrainë, janë larguar prej atje. Ata është thënë se kanë qenë në Ukrainë për periudhë afatshkurtër për qëllime pune apo biznesi, raporton Express.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zyrtarja e lartë për media në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Qëndresa Fazliu.

Fazliu ka thënë se në total, autoritetet kosovare kanë arritur të kontaktojnë me shtatë kosovarë në Ukrainë.

Katër personat tjerë – një familje katëranëtarëshe – është thënë të jetë në rrugë e sipër për të kaluar në Hungari.

Ndryshe, Ukraina është në luftë qe shtatë ditë. Rusia ka nisur sulmet në territorin e Ukrainës, që nga orët e para të mëngjesit të 24 shkurtit./Gazeta Express