Tragjedia në Tetovë, Zaev thotë se deri nesër do të vendosë për dorëheqjet
Kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi se gjatë ditës së sotme ose më së voni nesër do të japë komentin e tij për raportin e publikuar nga ekspertiza për zjarrin në Spitalin Modular në Tetovë.
Me këtë ai edhe do të vendosë për dorëheqjet që u dorëzuan pas ngjarjes tragjike.
“Me të vërtetë për herë të parë dëgjoj për raportin e publikuar, sipas gjitha gjasave tashmë kemi qenë në konferencë për media kur ajo është publikuar. Më lejoni që ta lexoj raportin, të shoh gjithçka që është publikuar, që të mundem t’i jap reagimet e mia dhe menjëherë gjatë ditës ose më së voni nesër të jap komentin tim për këtë”, deklaroi Zaevi, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve në konferencë për media në qeveri.
I pyetur, se çka kjo do të nënkuptojë konkretisht për dorëheqjet e ofruara, tha se menjëherë, pasi do t’i di të gjitha informacionet për atë që është publikuar, do ta thotë edhe qëndrimin e tij për dorëheqjet të ministrit dhe të zëvendësministrit të Shëndetësisë.