Toshkovski dhe Iseni takuan Koordinatoren e Përhershme të OKB-së, Rita Kolumbia
Udhëheqësia e MPB-së sot realizoi takim pune me Koordinatoren e Përhershme të OKB-së në Maqedoni, Rita Kolumbia.
Në takim u shqyrtua bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe agjencive të Kombeve të Bashkuara në vend, dhe bashkërisht u konstatua se ai po zhvillohet në një nivel jashtëzakonisht produktiv.
“Ndër të tjera u përmendën dy projektet që janë realizuar me asistencën e UNDP-së dhe kanë të bëjnë me rritjen e kapaciteteve të policisë për hetime në vendin e ngjarjes dhe për policinë kufitare dhe kriminalistike, si dhe gatishmërinë për projektet e ardhshme dhe hapat e bashkëpunimit”, njoftoi zv/ministri Iseni.
Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në vend, Rita Kolumbia, vuri në dukje përkushtimin e lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në disa fusha brenda fushëveprimit të ministrisë dhe rezultatet konkrete që e vërtetojnë këtë.
“Të dyja palët shqyrtuan fazat e ardhshme në projektet në vazhdim për të mbështetur ministrinë në forcimin e sistemit të forenzikës dhe hetimit të vendit të ngjarjes, mbështetjen kundër keqpërdorimit dhe përdorimit të armëve të vogla dhe të lehta, forcimin e menaxhimit të integruar të kufijve dhe projekteve të tjera dhe përkushtimit për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në një gamë më të gjerë fushash në të ardhmen”, u njoftua pas takimit.