Maqedoni

Thirrja e Kurtit për regjistrimin e mërgimtarëve, për një ditë trefishohen shifrat

Mjaftoi vetëm thirrja e liderit të Vetëvendosjes Albin Kurtit për tu regjistruar, e diaspora e Maqedonisë së Veriut iu bind menjëherë thirrjes së tij. Për vetëm 24 orët e fundit numrit të personave të vetëregjistruar, i janë shtuar edhe rreth 6 000 mërgimtarë. Ndërkaq, para ca ditësh kryetari i Entit Shtetëror të Statistikave Apostol Simovski deklaroi se ditëve të fundit është vërejtur një rënie e interesit për tu vetëregjistruar, gjegjësisht në ditë tha se regjistrohen vetëm 2000 persona.

Shifrat e ditës së sotme tregojnë se përmes aplikimit për vetë-regjistrim të diasporës deri sot, janë regjistruar gjithsej 77.122 persona. Kurse një ditë më parë, 71 000. Të marten ishin regjistruar 68.668 persona nga diaspora.

Një ditë më parë, përmes një videoje drejtuar enkas mërgimtarëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Kurti e ftoi mërgatën shqiptare të Maqedonisë së Veriut që të mos e lëshojnë këtë mundësi dhe të regjistrohen, pasi sipas tij, në këtë regjistrim do të përcaktohet pesha e shqiptarëve në Repuplikën e Maqedonisë së Veriut.

Gjatë ditës së sotme edhe kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Enver Hoxhaj dhe Ramush Haradinaj bënë thirrje mërgatës shqiptare që të regjistrohen.

Nga 1 marsi ka filluar edhe regjistrimi i të punësuarve në përfaqësitë diplomatike-konsullore dhe shtetasit e Maqedonisë që janë në OKB dhe përfaqësitë e saja, përfaqësuesit e Odave Ekonomike jashtë vendit, ushtarët që janë jashtë vendit dhe qytetarët që janë të angazhuar për bashkëpunim ndërkombëtar.

Regjistrimi i diplomatëve dhe familjarëve të tyre përfundoi më 15 mars, ndërsa i diasporës do të vazhdoj deri më 21 prill, atëherë kur do të përfundoj edhe regjistrimi i popullsisë rezidente të Maqedonisë së Veriut, që fillon më 1 prill./SHENJA