Tetovë-Prizren, opozita kritikon daljen e Ahmetit
Liderët e frontit opozitar, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti ironizuan daljen pompoze të kreut të BDI-së dhe vizitën private të ministrit të Infrastrukturës së Kosovës, lidhur me rrugën Tetovë-Prizren. Izet Mexhiti i Lëvizjes Demokratike tha se të zëshmit e BDI-së duhet të kryejnë së pari dy kilometrat e rrugës Bllacë – Shkup që kanë mbetur nën hije me vite, e pastaj të aktrojnë për përvetësimin e meritave për rrugën, projekti i së cilës u promovua gjatë vizitës së Kurtit të premten e kaluar.
“Kjo rrugë gjithsesi do të bëhet, por jo me BDI-në, e cila, gjë që është e pritshme, tenton ta përvetësojë si projekt partiak. Ndaj para se të flasin për këtë projekt madhor, të zëshmit e BDI-së, duhet t’i kryejnë ato dy kilometra të rrugës Bllacë – Shkup, që me vite nuk kryhen. Duhet t’i kryejnë punët e tunelit disa dhjetëra metra që me muaj të tërë është bërë makth i vërtetë për ata që marrin rrugën drejt Kosovës apo anasjelltas. Gjithsesi do të duhet t’i sqarojnë edhe skandalet korruptive lidhur me Korridorin 8. BDI nuk ka të drejtë morale të flasë për projektin Tetovë – Prizren…,” deklaroi Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike.
Për Bilall Kasamin, vizita e sotme e ministrit të Infrastrukturës së Kosovës Luburn Aliu është me insistim të BDI-së. Megjithatë, Kasami i bëri thirrje kreut të BDI-së që të heq dorë kjo shtyrje me inate dhe të ndihmojë vërtet në realizimin e kësaj rruge.
“Nuk është e vërtetë që është organizuar me kërkesë të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Është organizuar me insistim të funksionarëve të BDI-së për të relativizuar vizitën impozante të kryeministrit të Kosovës në Tetovë. Në asnjë moment, ne nuk punojmë me inate. Në asnjë moment nuk ka qenë ftesa e kryeministrit të Kosovës për t’i bërë dikujt karshillëk por ka qenë e sinqertë me një mision fisnik. Po e përsëris që Ahmeti jashtë vizitave të ministrit le të angazhohet që kjo rrugë vërtetë të realizohet dhe sa më shpejt Tetova dhe Prizreni të jenë të lidhura me një rrugë të tillë,” tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.
Rruga Tetovë-Prizren, ide e kryeministrit të Kosovës që mori përligjjen që nga mbledhja e parë e përbashkët e qeverive në kohën e Zoran Zaevit, tashmë ka të gatshëm vetëm planin e fizibilitetit. Kurti bëri thirrje që autoritetet e Maqedonisë së Veriut të vihen në punë për nisjen e ndërtimeve të saj, sa më shpejt. Rruga pritet të kushtojë rreth 200 milion euro, por rëndësia e saj sipas Kurtit do të jetë e madhe, ndërshtetërore dhe rajonale. /alsat.mk