Tetovë, gjuajtja me armë, vazhdon kërkimi i dy personave
Vazhdon ende kërkimi për dy personat që mbrëmë rreth mesnatës, nga një makinë në lëvizje në rrugën e Ilindenit, gjuajtën me armë zjarri në drejtim të një shtëpie në Tetovë. Për fat të mirë, nga kjo gjuajtje nuk pati të lënduar, por vetëm dëme materiale. Policia e Tetovës ka informuar se pak pasi ndodhi rasti, gjatë kërkimit për gjuajtësit, është gjetur makina e tipit Vollsvagen Polo, e cila u përdor gjatë gjuajtjes, ndërkohë e njëjta, dy orë më herët, ishte raportuar se iu është marrë nën kërcënim të armës dy personave nga Tetova.
“Rreth orës 1:45 minuta, policë të SPB Tetovë kanë gjetur veturën e cila dyshohet se është përdorur nga personat që kanë shtënë me armë zjarri, pra Vollsvagen Polo, e cila më vonë u konstatua se është raportuar rreth orës 22:30 minuta se është marrë nën kërcënim me armë zjarri nga personat F. dhe N. A. nga Tetova. Punohet në zbardhjen e plotë të rastit, pra pjesëtarë të policisë së Tetovës janë duke ndërmarrë masa dhe aktivitete pas çka do të merren edhe masat adekuate.”, – theksoi zëdhënësi i SPB – Tetovë, Fatmir Rexhepi.
Nuk dihen arsyet se përse kanë gjuajtur me armë, por flitet se gjuajtja me armë ka lidhshmëri me vrasjen muaj më parë para Spitalit Klinik të Tetovës./TVM2