Maqedoni

Tetovarja pas 37 viteve merr shtetësinë e Maqedonisë falë Ligjit të ri

Reqife Ceka nga Tearca e Tetovës më në fund morri shtetësinë e Maqedonisë.

TV21 në fillim të dhjetorit informoi se zonja Ceka ka 37 vjet që jeton në Maqedoni dhe nuk merr dot shtetësinë. Vetëm pas disa ditëve pas publikimit të storjes, ajo është ftuar në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë, me çka është pajisur me shtetësi.
“Unë pasi e bëra publike çështjen time për shtetësi ja arrita qëllimit. Falë televizionit tuaj TV21 dhe falë deputetes nga ASh Ilire Dauti, falë atyre që më përkrahën, unë ja arrita qëllimit pas tërë këtyre viteve.”– tha Reqife Ceka.

Zonja Reqife paraprakisht kishte aplikuar më shumë se 20 herë për shtetësi, kishte përfunduar shkollimin në Maqedoni, por shtetësi nuk merrte, pasi autoritetet atë e konsideron si të rrezikshme për shtetin.
“Vetëm se dola publikisht dhe shtetësia me erdhi”.

Mendoni se ka edhe raste të tjera dhe nëse po çfarë ju kishit thënë?

“Mendoj se ka shumë raste të tjera si rasti im, dhe kushdo që ka, le të lajmërohen le ta dalin publikisht se vërtet e fitojnë pa asnjë problem.”- tha ajo.

Ajo tani është e lumtur sepse për gjithçka do ta ketë më lehtë, ndërkohë do të ketë mundësinë të ketë edhe sigurim shëndetësor.
“37 vite unë kam jetuar pa shtetësi dhe pas 37 viteve unë arrita ta fitojë shtetësinë falë jush. Tani në të gjithë gjërat kam përparësi edhe në shëndetësi. Tash më jam qytetare e Maqedonisë”- pohoi Reqife Ceka.
Edhe pse në Maqedoni pati ndryshime të ligjit për shtetësi, shumë qytetarë po kanë problem me marrjen e shtetësisë. E së fundmi kemi parë raste diskutabile kur persona kontrovers janë pajisur me shtetësi sikur oligarkut ukrainas, Oleksandr Onyshchenko, ose shtetasi turk, mafiozi Sedat Peker.