Tetovari Nderim Beluli mes studentëve më të mirë në Danimarkë
Në një ceremoni madhështore në sallën e Bashkisë së Kopenhagës, të martën me 10 maj, mjeshtrit e rinj më të talentuar të vitit dhe mjeshtrit e sapo trajnuar të cilët diplomuan me notat më të larta, u nderuan me medaljen e argjendtë dhe të bronzit të Shoqatës së Zejtarëve të Kopenhagës. Madhështinë e kësaj ceremonie e shtoi edhe prania e mbretëreshës së Danimarkës, Shkëlqesisë së saj Margrethe II. Ajo përshëndeti, nderoi dhe takoi me shtrëngim duarsh gjithë studentët e nderuar me medlje.
Nga 24 studentët më të dalluar të cilët u nderuan me medalje është edhe Nderim Beluli me prejardhje ng Tetova, i lindur dhe rritur në Kopenhagë. Beluli u dekorua me medalje të argjendtë si studenti më i dalluar, i diplomuar me notat më të mira si instalues teknik për ujë, nxemje dhe sanitari.
Tradita e dhënies së medaljeve daton që nga viti 1867 dhe asokohe ashtu si tani, synimi është që shumë të rinjë të marrin arsim profesional. Shpërndarja e medaljeve bëhet nga Shoqata e Zejtarëve të Kopenhagës në bashkëpunim me NEXT – Education Copenhagen dhe TEC.
Përveç medaljeve të Shoqatës së Zejtarëve, u nda medalja Massmann, si dhe grante nga kompanitë, repartet dhe fondacionet në një total prej 1.1 milion DKK si ndihmë për studentët që të vazhdojnë shkollimin.