Maqedoni

Tetova ende pa shumicë në Këshillin komunal

Këshilli komunal i Tetovës ende nuk e ka formuar shumicën, ndërsa seanca vazhdimisht po shtyhet.

“Për këshillin të hënën është caktuar seancë, u deshtë për sot por për shkak të këtyre situatave nuk u mbajt. Të hënën tjetër do të caktohet dhe do t’i kuptoni rrethanat rreth këshillit”, tha kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Aleanca për shqiptarët dhe OBRM-PDUKM që kanë përkrahur Kasamin në raundin e dytë tash më kanë marrëveshje edhe për këshillin komunal. Sipas informatave tona OBRM-PDUKM në Tetovë do të marr sekretarin e komunës edhe një drejtori. Edhe nga ASH pohojnë se kanë marrëveshje por jo të detajuar sa i përket qeverisjes lokale.

“Kemi një marrëveshje për shumicën e këshillit, por detajet do të publikohen në seancën e parë e cila pitet të mbahet gjatë ditës së enjte”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët-Tetovë.

Më të qartë për të formuar shumicën janë nga lista e pavarur. Nga kjo iniciativë thonë se nuk do të marrin pjesë në seancë nëse ajo nuk do të jetë online, dhe nëse nuk publikohen emrat e të gjithë atyre që marrin rroga e nuk janë paraqitur në vendet e punës.

“Për Listën “Më mirë për Tetovën” prioritet kryesor është zbatimi i tre shtyllave të Platformës sonë: Transparenca dhe llogaridhënia, ambienti i pastër dhe qyteti me plan urbanistik të qëndrueshëm. Në Këshill do të bashkëpunojmë për çdo çështje që do jetë në të mirë të qytetarëve të Tetovës”, theksojnë nga iniciativa “Më mirë për Tetovën”.

Në bisedime Lëvizja Besa është edhe me dy këshilltarët e LSDM-së por përkeqësimi i situatës në nivel qendror ka bërë që të mos ketë akoma asnjë marrëveshje në nivel lokal.

Ajo që dihet deri më tani është se shumica e këshillit do të duhet të jetë prej 16 këshilltarëve, ndërsa deri më tani ka vetëm 14 edhe atë mes OBRM-PDUKM-së edhe ASH-së. BDI me 10 këshilltarë edhe PDSH që ka 2 këshilltarë do të ngelin në opozitë