Tërmet në Shqipëri, humbi jetën 18-vjeçari nga paniku
Lëkundjet u ndien edhe në Tiranë, Elbasan e Berat
Tërmeti i rënë pak para mesnatës së 13 Janarit në vendin tonë ka shkaktuar humbjen e jetës së një 18-vjeçari në Lushnjë.
Daniel Rika, 18 vjeç nga fshati Çinar humbi jetën në përpjekje për të dalë nga banesa.
Familjarët e të ndjerit shprehen se i riu humbi jetën nga paniku dhe se vetë kishte probleme shëndetësore.
“Ka qenë pak i sëmurë, ra tërmeti e ëma e zgjoi nga gjumi për të dalë jashtë, i ka rënë infarkt”.
“Pas tërmetit e kanë ngritur djalin se ra tërmet dhe për momentin djali është ngritur, është trembur dhe i ka rënë infarkt”.
Trupi i të riut është dërguar për ekspertizë në spitalin e qytetit të Lushnjës.
Qendra Sizmologjike raporton se tërmeti ishte me magnitudë 4.3 sipas shkallës Rihter, me thellësi 15 kilometër dhe me epiqendër në Shalës të Elbasanit.
Shumë qytetarë dolën jashtë pas lëkundjeve te para. Tërmeti u ndje edhe në Tiranë, Elbasan dhe Berat. Ndërsa deri më tani nuk raportohet për dëme materiale.
Tv Klan