September 19, 2024
Opinion

Teoria e kombit kosovar është antishqiptare

Shkruan: Xhelal Zejneli

Shqiptarët – një gjuhë, një histori, një komb

Kohët e fundit në hapësirën shqiptare në Ballkan paraqiten do ide, sipas të cilave
shqiptarët nuk qenkëshin një komb por dy a më shumë sish. Fatmirësisht, numri i atyre që
thonë se ndërmjet shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve jashtë saj, ka dallime të caktuara,
është tejet i vogël dhe numërohet në gishta.
Shqiptarët në Ballkan: në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë,
Bujanoc, Medvegjë), në Maqedoni, në Mal të Zi, në Greqi, duke përfshirë dhe çamët – janë
një popull, flasin një gjuhë, kanë një histori dhe janë një komb. Pjesë e pandarë e kombit
shqiptar në Ballkan janë edhe shqiptarët në diasporë: në Evropë, në SHBA, në Kanada, në
Australi…
Midis shqiptarëve, kudo qofshin ata, nuk ka kurrfarë dallimesh të theksuara, madje
mbi kurrfarë baze. Shqiptarët janë një.
Ka individë që thonë se ekziston kombi shqiptar në Shqipëri si dhe kombi
kosovar – në Kosovë. S’ka komb kosovar. Kosova është term gjeografik. Ka komb shqiptar
në Kosovë:
– që përbën 92% të popullsisë së përgjithshme të Republikës së Kosovës;
– që është trashëguese e shtetësisë;
– që është mbartëse e shtetësisë;
– që posedon kapacitet të plotë shtetformues apo shtetndërtues;
– që ka një histori të lavdishme;
– që ka perspektivë euro-atlantike.
Kosova është shtet i shqiptarëve, me të drejtat e pakicave, të garantuara me ligj, sipas
standardeve evropiane. Askush s’mund t’i detyrojë shqiptarët ta ndërrojnë emrin, për hir të
5% serbëve. In ultima linea, a ka forcë në botë që mund t’ia ndërrojë një populli shpirtin,
zemrën, mendjen, gjakun, kujtesën historike dhe vetëdijen kombëtare. S’ka plan në botë që
mund ta bëjë këtë.
Ca individë, që numërohen në gishta, thonë se shqiptarët nuk janë një komb, por dy a
më shumë kombe. Këta individë, te shqiptarët vërejnë:
– dallime historike;
– dallime gjuhësore;
– dallime kulturore;
– dallime psikologjike;
– dallime arsimore;
– dallime në pikëpamje të emancipimit.
Asnjë nga “dallimet” e sipërthëna nuk është i bazuar.
Shqiptarët kanë një histori – Në vjeshtën e tretë të vitit 1912 Ismail Qemali (1844-
1919), të pavarur e shpalli – Shqipërinë. E Shqipëri ishin trojet shqiptare në Ballkan që

shtriheshin deri aty ku bukës i thoshin bukë, e ujit ujë. Fqinjët grabitqarë – Serbia, Bullgaria,
Mali i Zi dhe Greqia, të ndihmuar nga Moska, Parisi dhe Londra, pushtuan më tepër se
gjysmën e trojeve etnike dhe historike shqiptare. Ndërkaq, shqiptarët e viseve të pushtuara, që
nga dita e parë e pushtimit e deri më sot, kurën e kurës nuk e njohën pushtimin. Pushtuesve të
egër serbë, bullgarë, malazez, sllavo-maqedonas dhe grekë, u bënë ballë me sakrifica
mbinjerëzore.
Që nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1912-1913) e deri në ditët tona,
shqiptarët e viseve të pushtuara, Shqipërinë e quajnë nënë, e konsiderojnë të shenjtë dhe të
shtrenjtë, e kanë në zemër dhe e duan me shpirt. Dhe do ta duan deri në jetë të jetëve. Edhe
pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve (1912-1913), shqiptarët në Ballkan,
vazhdojnë të kenë një histori.
Pavarësisht nga përkufizimet e kombit që janë bërë nga sociologët borgjez dhe
marksistë, kombi është para së gjithash dhe mbi të gjitha: gjaku, zemra, shpirti, dhe mendja.

* * *

Gjuha popullore shqipe përbëhet prej dy dialekteve kryesore, prej
disa nëndialekteve dhe prej shumë të folmeve. Përkundër dialekteve, nëndialekteve dhe të
folmeve të gjuhës popullore shqipe, shqiptarët në Ballkan dhe kudo në botë, komunikojnë
dhe kuptohen ndër vete pa kurrfarë vështirësish. Gjermani i jugut të Gjermanisë, për shkak të
dallimeve dialektore vështirë merret vesh me atë të veriut të vendit. Megjithëkëtë, asnjë
gjerman nuk thotë se ekzistojnë dy a më shumë gjuhë gjermane dhe se brenda në Gjermani
duhet të ketë dy a më shumë kombe.
Më 20-25 nëntor 1972 u mbajt në Tiranë Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës
Shqipe. Në të morën pjesë studiues të gjuhës shqipe nga të gjitha trojet shqiptare në Ballkan,
përfshi pra edhe intelektualët dhe akademikët nga Kosova, nga Maqedonia, nga Mali i Zi si
dhe arbëreshët e Italisë. Kanë qenë të pranishëm edhe albanologë të huaj. Ky kongres mbylli
periudhën kur gjuha letrare shqipe funksiononte në dy a më shumë variante dhe hapi një
periudhë të re, periudhën e një gjuhe letrare të vetme, të njësuar. Kongresi i
Drejtshkrimit pati një jehonë të gjerë në jetën shoqërore e kulturore të shqiptarëve në Ballkan
dhe në diasporë dhe ndikoi për forcimin e njësisë shpirtërore të tyre. Shqiptarët sot, kudo në
botë, flasin në gjuhën letrare shqipe. Dhe kështu do të flasin deri në jetë të jetëve. Shqipja
është një. S’ka dy gjuhë shqipe.
Nacionalistët serbë të Beogradit nuk e pritën mirë Kongresin e Drejtshkrimit të
Gjuhës Shqipe të 1972-shit. Sipas inteligjencies serbe, shqiptarët kanë dy gjuhë: gjuhën
shqipe që flitet në Shqipëri dhe gegërishten – që flitet në Kosovë. Rrjedhimisht shqiptarët,
sipas akademikëve serbë, meqë flasin dy gjuhë, janë dy popuj të ndryshëm.
Këta pak shqiptarë që thonë se ndër shqiptarë ka dallime aq të mëdha saqë bëhet fjalë
për dy popuj të ndryshëm, përkatësisht për dy kombe të ndryshme, me vetëdije apo pa të, me
pikëpamje të tilla, i shërbejnë ideologjisë antishqiptare serbe dhe greke.
Shqiptarët janë pak, për të qenë dy a më shumë kombe.

* * *

Shqiptarët:
– janë populli më i lashtë i Gadishullit Ballkanik;
– janë pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve;

– janë popull rrënjës (autokton) i Ballkanit.
Gjuha shqipe:
– është bijë e ilirishtes;
– është degë e parë e familjes së gjuhëve indo-evropiane.
Me fjalë të tjera, prejardhja e përbashkët e shqiptarëve dhe e gjuhës së tyre është një
prej shumë faktorëve që i bashkon shqiptarët.
Shqiptarët në Ballkan dhe kudo në rruzullin tokësor, kanë një krye-hero – Gjergj
Kastriotin (1405-1468), krenarinë, nderin dhe lavdinë e kombit. Shqiptarët në rajon dhe
kudo në rruzullin tokësor, i bashkon epoka e madhe e kryezotit të mesjetës – e Gjergj
Kastriotit-Skënderbeut.
Shqiptarët në rajon dhe kudo në rruzull, e kanë në zemër epokën e madhe të Rilindjes
Kombëtare (1840-1912). Kombi shqiptar sot, përulet me nderimin më të thellë para
rilindësve, q u flijuan për dritën tonë të sotme. Shqiptarët sot, si dikur, i bashkon njëra nga
periudhat më të lavdishme të historisë politike të kombit – ajo e Lidhjes së Prizrenit (1878-
1881).
Shqiptarët sot, si dikur, i bashkon Vlora e pavarësisë e vitit 1912.
Shqiptarët, sot e një mijë vjet i bashkon himni dhe flamuri kombëtar – shqiponja me
dy krerë, në hapësirë të kuqe, që e përdori Skënderbeu në luftërat për mbrojtjen e atdheut.
Çdo shqiptar në rajon dhe kudo në botë, e ka në zemër flamurin kombëtar. Në luftë, në beteja,
në fitore, në paqe, në ceremoni mortore, në dasma shqiptarët shkojnë me një flamur të vetëm
që e kanë në shpirt, në zemër, në gjak dhe në mendje – shqipen me dy krerë. Flamuri dhe
himni kombëtar janë një. Para tyre dhe vetëm përballë tyre qëndron hijerëndë çdo shqiptar
në Ballkan dhe kudo në botë.
Shqiptarët në Ballkan dhe kudo në rruzull, i bashkon virtyti: besa, bujaria, fisnikëria,
mikpritja, trimëria dhe mendjemprehtësia.
Shqiptarët në rajon dhe kudo në botë, shquhen për vitalitetin e racës.
Shqiptarët pra krenohen:
– me prejardhjen ilire, me lashtësinë, me autoktoninë, me pastërtinë e racës, me
vitalitetin e racës, me historinë e lavdishme, me personalitetet historike, me virtytet etnike;
– me gjuhën e tyre që zëri i kombit – Gjergj Fishta (1871-1940) e quajti gjuhë e
Perëndisë.
Shqiptarët janë popull solidar dhe human. Në asnjë periudhë të historisë së vet, nuk
janë paraqitur kundër fqinjëve të tyre.

* * *

Ata individë që thonë se kombi kosovar dallohet nga ai shqiptar në Shqipëri, duhet të
dinë se shqiptarë – në troje të tyre – ka edhe në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc,
Medvegjë), edhe në Maqedoni, edhe në Mal të Zi, edhe në Greqi, edhe në diasporë. Po qe se

shqiptarët e Shqipërisë do të quhen shqiptarë, e këta të Kosovës – kosovarë, si do të quhen
vallë shqiptarët në Kosovën lindore, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Greqi dhe në diasporë?!
Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Greqia janë të gatshëm për t’i quajtur serbë,
maqedonas, malazezë, grekë. Ose më saktë: serbë me prejardhje shqiptare, maqedonas me
prejardhje shqiptare, malazezë me prejardhje shqiptare etj.
Ku shpie kjo?! Ku shpie ideja e dy gjuhëve shqipe dhe e dy kombeve shqiptare?!
Pikëpamja: “Për të pasur shtet të pavarur dhe sovran është e domosdoshme të kesh edhe
komb të veçantë” është absolutisht e gabuar. Për hir të askujt, as edhe të qendrave politike
ndërkombëtare të vendosjes, shqiptarët nuk mund ta ndërrojnë emrin, shpirtin, zemrën,
gjakun dhe mendjen. Edhe koreanët kanë dy shtete por kurrë nuk thonë se janë dy popuj apo
dy kombe.
Solidariteti vëllazëror – Gjatë pastrimit etnik të Kosovës që e ndërmori Serbia me
forcat e saj militariste në vitin 1999, u detyruan të largohen prej vatrave të veta rreth 1
milionë shqiptarë. Rreth 600 mijë sish u strehuan në Shqipëri, nga veriu deri në jug. Ndërkaq,
rreth 350 mijë u vendosën në viset shqiptare në Maqedoni. U strehuan pra te vëllezërit e
gjakut dhe nuk vajtën as në Greqi, as në Bullgari. Përse?!
Shqiptarët:
– i bashkon fati tragjik i përbashkët, armiku dhe rreziku i përbashkët, gjatë historisë
dhe sot;
– i bashkon kënga popullore që e mbajti gjallë ndër shekuj;
– i bashkon krijimtaria gojore e përbashkët, që nga këngët e djepit deri te epika
legjendare;
– i bashkon qëndresa e përbashkët ndaj pushtuesve dhe sundimtarëve të huaj;
– i bashkon krijimtaria letrare-artistike, që nga Buzuku e deri në ditët tona dhe pas
nesh.
– i bashkon ideali i përbashkët – miqësia me SHBA-në dhe integrimi në familjen
perëndimore;
Shqiptarët i bashkon ideali i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës martire, e cila, pas një
shekull gjenocidi, kolonializmi dhe politike të aparteidit të ndjekur nga Serbia, doli nga ferri
dhe terri për të ecur drejt shtigjeve të përparimit dhe të demokracisë.
Shqiptarët nuk u ndanë shpirtërisht ndër vete, as atëherë kur boshti i krimit Shkup-Beograd-
Titograd (sot Podgoricë), vendosën ndër shqiptarë kufij të hekurt.

* * *

Ndër shqiptarë sot s’ka kufij. Edhe këta pak kufij që kanë mbetur një ditë do të hiqen.
Në hapësira ndër-shqiptare të caktuara, shqiptarët qarkullojnë tanimë, jo me pasaporta, por
me letërnjoftime. Janë edhe detet – Joni dhe Adriatiku – bashkues të shqiptarëve. Shqiptarët i
bashkon dhe rëra e plazheve, dielli i korrikut dhe i gushtit, ekskursionet e nxënësve, muzeu i
Krujës dhe i Vlorës, kalaja e Shkodrës.
Sot shqiptarët kanë mundësi komunikimi, si kurrë në histori. Bashkimin ua mundëson
zhvillimi i mediumeve, sidomos i atyre elektronike si dhe programet televizive satelitore apo
kabllore. Në saje të rrugës së kombit një ditë do të rritet akoma më shumë qarkullimi i
njerëzve, i mallrave, i kapitalit dhe i vlerave kulturore.

Gjermanët, vërtet kanë më shumë se një shtet kombëtar, siç janë Austria dhe Zvicra
Mirëpo duhet ditur se:
– Gjermania jashtë kufijve të vet ka një përqindje të përballueshme të popullsisë dhe
të territorit gjermano-folës, ndërkaq në rastin e Shqipërisë, më tepër se gjysma e popullsisë
dhe e territoreve shqiptare, kanë mbetur jashtë saj;
– Nacionalistët gjermanë, si në Gjermani ashtu edhe në Austri, kurrë nuk janë pajtuar
me ekzistimin e dy shteteve gjermano-folëse. Ata gjithmonë kanë synuar bashkimin;
– Në rastin e Gjermanisë dhe të Austrisë, mund të flitet për dy histori të ndryshme,
por në rastin e shqiptarëve kemi vetëm një histori – atë të çlirimit nga zgjedha osmane, të
krijimit të Shqipërisë së pavarur si dhe atë të krijimit të Shqipërisë etnike dhe natyrale;
– Shqipëria është e brishtë, pikërisht pse është e ndarë dhe e copëtuar;
– Shqipëria do të jetë më e qëndrueshme kur t’i rikthehet gjysma që iu shkëput në
Londër (1912-13);

Derisa popuj të tjerë, brenda kufijve të shteteve të veta, mbajnë territore të popujve të
huaj, për ca shqiptarë që numërohen në gishta, ndërmjet shqiptarëve paskësh
dallime historike, gjuhësore, psikologjike dhe kulturore…
Derisa Serbia, me Vojvodinën, me Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë)
dhe me Sanxhakun (të banuar me popullsi myslimane) krijon shtetin e madh serb, shqiptarët
në anën tjetër, jo vetëm që s’arrijnë të krijojnë Shqipëri të madhe apo Shqipëri
etnike dhe natyrale, por akoma më keq. Ca individë gjurmojnë dallime midis shqiptarëve për
të shkaktuar ndarje dhe përçarje ndër-shqiptare dhe për të krijuar deri edhe dy popuj dhe dy
kombe shqiptare.
Shqiptarët kanë nevojë të bashkohen. Së paku shpirtërisht. Të bashkojnë tregjet,
kapitalin, pasuritë materiale dhe vlerat kulturore. Të qarkullojnë të lirë në hapësirat brenda-
shqiptare. Të paktën këtë sot s’ua ndalon kush.
* * *

Çështja shqiptare në Ballkan përkufizohet si çështje e popullit të ndarë, të rindarë
dhe të shtypur. Me çlirimin e Kosovës (1999) nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe nga
aleanca e NATO-s, padrejtësia ndaj shqiptarëve nisi të korrigjohet. Konstelacioni në rajon, në
kontinent dhe në planin global sot – është i favorshëm për shqiptarët. Ndaj shqiptarët nuk
kanë përse të formojnë dy kombe, por një komb të bashkuar.
A është e mundur kjo?!
Shqiptarët janë i vetmi popull i Ballkanit që nuk e kanë të zgjidhur çështjen
kombëtare. Ndonëse ende s’e kanë të zgjidhur çështjen kombëtare, shqiptarët janë i vetmi
popull i gadishullit që nuk kanë të ndërtuar një platformë kombëtare. Paradoks! Popull me
çështje kombëtare të pazgjidhur dhe pa projekt kombëtar.
Rrjedhimisht, shqiptarët janë populli më jo-nacionalist i Gadishullit Ballkanik.
Mirëpo, nuk mund të thuhet se shqiptarët nuk kanë vetëdije kombëtare të lartë. Mungesa e
ideologjisë kombëtare apo e një platforme nacionaliste te shqiptarët është pasojë e
mungesës së kapaciteteve të përgjithshme të kombit shqiptar në Ballkan.
Në anën tjetër, pothuajse të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit, nacionalizmin e kanë të
inkorporuar në politikën shtetërore. Nacionalizmi turk, serb dhe grek manifestohet në çdo
pore të jetës.

Ideologjia kombëtare nuk është çështje individësh, por e shtetit dhe e institucioneve
shkencore të kombit. Kur troket ora e madhe e historisë për zgjidhjen e çështjes kombëtare,
me atë rast nuk pyeten individët apo segmentet anacionale dhe antikombëtare të një
shoqërie. Po ta kishte përfillur Oto fon Bizmarku (Otto Eduard Leopold von Bismarck,
1815-1898) pjesën e pavetëdijshme të popullit gjerman, bashkimi i principatave gjermane do
të zvarritej deri në mbarim të shekullit XIX.
Zgjidhja e çështjes kombëtare varet prej determinuesve historikë dhe sociologjikë dhe
jo prej vullnetit të lirë të individëve
Shqiptarët flasin një gjuhë, kanë një histori dhe janë një komb.
Më 15 tetor 2022

Xhelal Zejneli