Maqedoni

Tekstet shkollore që mësojnë gabimisht nxënësit

Gjysmë-vjetori i dytë në arsimin fillor dhe të mesëm në Maqedoninë e Veriut do të nisë të hënën me problemet e vjetra, disa prej të cilave trashëgohen nga viti në vit.

Gabimet në disa tekste shkollore që u evidentuan në fillim të vitit shkollor në shtator, ende nuk janë evituar sikurse që mungojnë edhe shumë tekste tjera për nxënësit e ciklit të ulët të arsimit fillor, dhe për pasojë nxënësit detyrohen të mësojnë nga skripta apo materiale të tjera të fotokopjuara.

Në tekstet e reja të klasës së 5-të në lëndët Histori dhe Shoqëri, janë evidentuar dhjetëra gabime që kryesisht kanë të bëjnë me periudhat historike.

“Sa i përket tekstit të Historisë, gabimet kanë të bëjnë me periudhat historike. Mesjeta është zhvendosur për dhjetë shekuj mbrapa. Ndërkohë ‘Stobi’, një lokalitet që ekzistonte gjithashtu në epokën antike, thuhet se i takon shekullit II deri në shekullin e III para Krishtit. Këtu kemi një gabim gati njëmijë vjeçar, pasi është një qytet i lashtë i Paionisë, që më vonë u bë kryeqytet i provincës romake të Maqedonisë. Gabimet në tekste janë të shumta, si gjeografike, ashtu edhe periodike”, thotë profesori i Historisë, Vasko Giçevski.

Maqedonia e Veriut, sipas përmbajtjes së tekstit të Shoqërisë, kufizohet me Shqipërinë në lindje dhe me Bullgarinë në perëndim, gjë që është kundërta.

Në të njëjtin tekst shkollor, nxënësit mësojnë se maja më e lartë në botë, mali Everest në Himalaje, është 29.305 metra i lartë, kurse mali Everest është 29.305 ft (këmbë) i lartë, që nëse shndërrohen në metra, i bie që maja më e lartë të jetë 8.849 metra.

Reagime në opinion ka shkaktuar në veçanti teksti i librit Gjuha Shqipe për klasën e pestë ku mësohet për shkurtesat e institucioneve ndërkombëtare, e ku ka zënë vend edhe ajo për një parti politike, BDI (për Bashkimin Demokratik për Integrim), është konsideruar si imponim për nxënësit të mësojnë për emrin e kësaj partie që është pjesë e pushtetit.

“Definitivisht këtu shohim një mospërgjegjësi, një mungesë serioziteti te të gjithë ata që duhet të japin llogari deri në prodhimin final të të gjithë librit. Bëhet fjalë për libër, tekst shkollor, i cili duhet t’u shërbejë brezave të rinj. U ndërmorën hapa që të gjitha këto gabime të përmirësohen dhe tani t’i shohim që ndodhin përsëri, vërtet është e papranueshme. Urgjentisht do të kërkoj që këto tekste të kthehen mbrapsht”, thotë Naser Miftari, mësimdhënës në shkollën e mesme në Shkup.

Autorët e tekstit të Historisë, Anita Angelovska dhe Glikeria Ilioska, lidhur me gabimet janë përgjigjur me shkrim, duke pranuar se ka lëshime porse ato janë “teknike”.
“Na vjen shumë keq që në përpjekjet tona për të mos bërë ndonjë gabim thelbësor, na janë përvjedhur gabime të tilla teknike, të cilat kanë trazuar opinionin”, thuhet në reagimin e autorëve të tekstit, pa dhënë sqarime tjera.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) pranon gabimet në tekstet shkollore, të cilat thotë se “nuk duhej të ndodhnin”, andaj edhe kërkon nga institucionet përkatëse sqarime lidhur me lëshimet e bëra.

“Ministria e Arsimit tashmë ka kërkuar informacion për punën e të gjitha palëve të interesuara në procedurën e miratimit të tekstit konkret dhe pas marrjes së raportit, do të propozojë masa për veprime të mëtejshme. U bëjmë thirrje të gjithë autorëve dhe recensentëve që në të ardhmen të marrin pjesë në procedurat e hartimit dhe botimit të teksteve”, thuhet në sqarimin e MASH-it.

Gjithashtu, nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit dhe anëtarëve të Komisionit Kombëtar të Teksteve, është kërkuar që të “ngrenë përgjegjësinë e tyre personale dhe përkushtimin, sepse në këto procese mjaft komplekse, kjo është e vetmja gjë që pritet prej tyre”.

Profesori universitar i Gjuhës Shqipe, Avzi Mustafa, thotë se gabimet po përsëriten nga viti andaj, sipas tij, është koha e fundit që dikush për këto gabime të mbajë përgjegjësi.

“Kjo që po ndodh me këto që janë gabime shkencore, janë të patolerueshme dhe gjithsesi duhet të kërkohet përgjegjësi nga autorët dhe nga botuesit. Kjo ndodh me vite, sepse nuk ka një koordinim mes institucioneve përgjegjëse duke filluar nga Byroja për Zhvillim të Arsimit, nëpërmjet dikasterit të Ministrisë, Këshillit Pedagogjik”, thotë profesori i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Shkup, Avzi Mustafa.

Gabimet në tekstet shkollore kanë nisur të shfaqen që në vitin 2017 kur në librin e Gjeografisë për klasën e shtatë të shkollës fillore, nxënësit mësonin se Kosova është pjesë e Serbisë, ndërsa në një ilustrim të atlasit të Gjeografisë, poshtë flamurit të Kosovës, qëndronte emri i Greqisë.

Në tekstin e Historisë për arsimin fillor, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut paraqiteshin si “dhunues që ishin vendosur këtu në shekullin e XVIII, pasi kanë dëbuar maqedonasit nga tokat e tyre”, sipas autorëve të tekstit.

Këto përmbajtje janë evituar pas reagimeve të shumta në opinion përmes një ligji për botimin e teksteve të reja./REL