Të rinjtë palestinezë në Gaza dhe Bregun Perëndimor në atmosferë festive për “armëpushimin”
Të rinjtë palestinezë në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor nën pushtim kanë shfaqur atmosferë festive nëpër rrugë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes për armëpushimin të arritur mes Izraelit dhe Hamasit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Qindra të rinj zhvilluan marshime në qytete të ndryshme të Rripit të Gazës dhe Bregut Perëndimor. Të rinjtë që dolën nëpër rrugët e qyteteve, kryesisht në Ramallah, hodhën slogane në mbështetje të grupeve të rezistencës palestineze në Gaza.
Atmosferën festive dhe gëzimin e tyre për armëpushimin të rinjtë e shprehën duke brohoritur me sloganet si “Përshëndetje nga Ramallahu për Gazën krenare”, “Fatah, Xhihadi islamik dhe Hamas, uniteti juaj na bëri krenar”.
Marrëveshja e arritur mes Izraelit dhe Hamasit e cila u vendos që të ishte reciproke dhe e njëkohshme, hyri në fuqi në orën 02:00.
Në sulmet që Izraeli ndërmori kundër Gazës që nga 10 maji e deri më tani kanë humbur jetën 232 palestinezë, përfshirë 65 fëmijë dhe 39 gra.