Maqedoni

Të rinjtë morën pjesë në trajnimin për trajtimin e dezinformatave dhe verifikimin e fakteve në Veles

Rreth pesëmbëdhjetë të rinj morën pjesë në trajnimin e dytë në kuadër të programit “Gazetaria për gjeneratën e re”, me temën “Përballja me dezinformatat dhe verifikimi i fakteve”, i cili u mbajt nga 13 deri më 15 mars në afërsi të Velesit, transmeton Portalb.mk.

Në trajnimin treditor të organizuar nga Fondacioni Metamorfosis, së bashku me Qendrën Ndërkombëtare për Gazetarët (ICFJ), të rinjtë patën mundësinë të fitojnë njohuri për mënyrën e verifikimit të fakteve, të mësojnë teknikat bazë në këtë fushë dhe gjithashtu të marrin pjesë dhe të kryejnë verifikimin e fakteve.

Trajnues ishin Todd Helmus, profesor nga organizata ndërkombëtare RAND, Vlladimir Petreski, kryeredaktor i portalit Vërtetmatës.mk, si dhe Despina Kovaçevska, analiste dhe monitoruese e mediave në Fondacionin Metamorfozis.

Trajnimi përfshiu kombinim të teorisë dhe prakrikës, duke filluar nga mënyrat e përhapjes së dezinformimit dhe propagandës dhe nga vjen fenomeni modern i narrativave të dezinformatave. U diskutuan metodat dhe rregullat e përgjithshme për zbulimin e deklaratave dhe njoftimeve që mund të verifikohen me fakte, si dhe u shpjeguan metodologjia dhe teknikat për verifikimin e fakteve.

Trajnimi përfshiu informacione në lidhje me temat më të zakonshme për të cilat ka dezinformata dhe përdorimin e inteligjencës artificiale për të krijuar dhe shpërndarë përmbajtje të tilla.

U dhanë rekomandime se si gazetarët mund të mbrohen nga shpërndarja e informacionit jo të plotë, keqdashës, të manipuluar nga burime jo të besueshme. Në fund, pjesëmarrësit kishin detyrë në grup për të krijuar skicën e kontrollimit të fakteve.

Të gjithë pjesëmarrësve iu dhanë certifikata për përfundimin me sukses të trajnimit.
Ky ishte i dyti nga një seri prej tre trajnimesh që do të mbahen këtë vit në kuadër të programit “Gazetaria për gjeneratën e re” i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis dhe Qendra Ndërkombëtare për Gazetarë (ICFJ) dhe financuar nga Ambasada Amerikane. Pjesëmarrësit më të mirë nga të tre trajnimet këtë verë do të kenë mundësi për praktikë me pagesë në mediat Metamorfozis: Meta.mk, Portalb.mk ose Vistinemer.mk. Tre prej tyre do të kenë mundësinë të shkojnë në vizitë studimore njëjavore në SHBA.