Të punësuarit në “Higjienën Komunale” në grevë, Komuna e Tetovës del me reagim
Të punësuarit në “Higjienën Komunale” në Tetovë sot kanë mbajtur grevë, për shkak të kushteve të punës dhe pagave. Nga Komuna e Tetovës kanë dalë me reagim, prej ku thonë se janë të informuar për situatën aktuale në lidhje me ndërmarrjet komunale.
Ata shtojnë se për të adresuar dhe zgjidhur sfidat dhe dështimin e ndërmarrjes së vjetër komunale, është vendosur formimi i dy ndërmarrjeve të reja, një ndërmarrje për menaxhim me mbeturinat dhe një për ujësjellës dhe kanalizim.
“Është e rëndësishme të theksohet se Komuna e Tetovës tashmë ka një kontratë e cila është nënshkruar me një operator privat dhe kjo kontratë, e cila hyn në fuqi nga data 1 dhjetor 2023 do të rezultojë në kalimin e punëtorëve nga ndërmarrja komunale tek ndërmarrja e re për menaxhimin e mbeturinave “OENEUM”. Me këtë ndryshim, të gjithë ata punëtorë do të marrin pagat e tyre në rregull, kurse Komuna e Tetovës ka marrë për obligim që të sigurojë pagesën e gjitha pagave të mbetura prapa për këta të punësuar. Për sa i përket ndërmarrjes së për ujësjellës dhe kanalizim “Sharri” jemi në fazën e transformimit të punëtorëve nga NPK Tetovë në ndërmarrjen e re”.
“Kjo do të zgjidhë problemet e pagave edhe për këta punëtorë. Pas përfundimit të këtij procesi, Komuna e Tetovës do të përgatit një strategji të veçantë për angazhimin dhe sigurimin e pagave për punëtorët që do të mbeten në ndërmarrjen aktuale NPK Tetova-Tetovë”, thonë nga Komuna e Tetovës.
Gjithashtu shtojnë se ata si institucion mirëkuptojnë situatën me të cilët ballafaqohen punëtorët, një situatë e palakmueshme dhe trashëguar ndër vite.
“Por dyshojmë se pikërisht reagimi i sotëm, në ditën kur të gjithë po festojmë festën e flamurit, mund të jetë i motivuar politikisht. Prandaj, kërkojmë nga të gjithë të punësuarit nga NPK Tetova-Tetovë, të mos bien pre e çfarëdo lloj provokimi nga faktorë politik dhe të përqendrohen në bashkëpunim për zgjidhjen e çështjeve aktuale”, thonë nga Komuna e Tetovës.