Maqedoni

Të hënën Alternativa dhe Aleanca do ti caktojnë drejtorët e rinj në shkollat “Penko” dhe “Zhivko Brajkovski” në Butel

Të hënën fillon të funksionojë në praktikë Koalicioni VMRO-ASH-AA në Butel, koalicion që do të ofrojë pjesëmarrje më të madhe të shqiptarëve në ndarjen e pushtetit në këtë komunë.
Sipas marrëveshjes, nga e hëna do të caktohen drejtorët e rinj në shkollat fillore “Petar Zdravkovski-Penko”, “Zhivko Brajoovski” dhe “Arseni Jovkov”, ku shumica janë nxënës shqiptarë, njoftojnë burime partiake. Sipas tyre, në shkollën “Penko” drejtorin pritet ta caktojë Alternativa, kurse në “Zhivko Brajkovski, Aleanca për Shqiptarët. Këto dy parti do të marin edhe poste tjera të shumta në komunën e Butelit, thonë burime partiake.

Me këtë forcohen pozitat e koalicionit ASH-AAA në Shkup. Siç bëri të ditur sekretari për Media i Alternativës Zeqirija Ibrahimi, koalicioni AAA-ASH, do të jetë pjesë e shumicës dhe gjithë pushteti i Shkupit do të jetë në duart e këtij koalicioni, ndërsa BDI dhe LSDM do të jenë në opozitë.

“Duke e parë se ka ende mjegull se çka nënkupton fjalia “në Shkup është krijuar shumica e re”, më duhet të shpjegoj se kjo i bie se koalicioni AlternAtivA & Aleanca për Shqiptarët do të jetë pjesë e shumicës së Këshillit të Qytetit dhe gjithë pushteti i Shkupit do të jetë në duart e këtij koalicioni, ndërsa LSDM dhe BDI do të jenë në opozitë.

Kjo do të thotë se edhe ndërmarrjet si “Ujësjellësi e kanalizimi”, Higjiena Komunale “Komunalec”, “Parqe e Gjelbërime”, “Parkingje”, JSP e disa ndërmarrje të tjera e qendra kulturore do të jenë të drejtuara nga kuadrot tona. Nga java e ardhshme drejtorët aktualë do të zëvendësohen me kuadro të pakorruptuar e profesionistë.

Sidoqoftë, u bëjmë thirrje punëtorëve të Komunalecit, Parqeve, Parkingjeve, Ujësjellësit, JPS-së etj. që të jenë të qetë dhe mos të mërziten. Me ardhjen tonë në krye të këtyre ndërmarrjeve edhe jeta e tyre do të jetë më e lehtë. Askush nuk guxon t’i prekë e t’i dëmtojë dhe askush nuk guxon t’i detyrojë e shtrëngojë të jenë tifozë të partive politike. Ata do të jenë të lirë që të vendosin vetë se kë duan ta mbështesin.

Tregojuni edhe atyre drejtorëve e zëvendësdrejtorëve të ndërmarrjeve të Shkupit, që tash ju bëjnë presion, se nga e hëna përcjelljen do ta kenë në mënyrë dinjitoze”, ka shkruar të enjten Ibrahimi.