Të enjten protestojnë punonjësit e shëndetësisë, kërkojnë rritje pagash
Pasi Sindikata e Pavarur e Punonjësve të Shëndetësisë njoftoi se të enjten do dalin në protestë paralajmëruese për rritjen e pagave, Ministria e Shëndetësisë sot deklaroi se mundësitë dhe buxheti nuk lejojnë rritje të pagave. Nga atje thonë se këtë vit pagat janë rritur 2 herë.
MINISTRIA E SHËNDETËSISË
“Këtë vit pagat e punonjësve shëndetësorë janë rritur dy herë. Një herë në gjysmën e parë të vitit, ato u rritën për 2000, 2,500 dhe 3000 denarë për tre grupe të ndryshme të punonjësve shëndetësorë. Tani, më 9 tetor ka pasur një rritje të re prej 10% dhe është rënë dakord për pagesën e regresit të fundvitit. Mirëpo, mundësitë dhe buxheti nuk lejojnë më shumë”.
Nga ministria e shëndetësisë sigurojnë se kanë mbajtur një takim me përfaqësues të Sindikatës ku kanë shpjeguar se pse nuk është e mundur të përmbushen kërkesat e tyre. Sindikata në konferencën e djeshme për media konfirmoi se më 5 tetor janë takuar me përfaqësues të Ministrisë. Ata thanë se në takim u prezantuan kërkesat për rritje 30% të pagave për të gjithë punonjësit shëndetësorë dhe personelin administrativo-teknik, rishikimin e marrëveshjes kolektive etj.