Maqedoni

Tatimet për veturat euro 5 janë të larta në RMV, ankohen importuesit

Në rrugët e Maqedonisë së Veriut lëvizin vetura kryesisht të vjetra, ndërsa vjetërsia mesatare e parkut të veturave rritet nga viti në vit. Vjetërsia mesatare është 20 vite, ndërsa 170 mijë vetura janë nga shekulli i kaluar.

Aleksandar Dimovski, importues i veturave të përdorura, thotë se ai që moti ka filluar të importojë vetëm makina EURO 5 për shkak se Qeveria i rriti harxhimet për import, edhe për standardin EURO 5 thotë se harxhimet janë të larta.

“Për momentin importohen me euro standarde më të larta përshkak harxhimeve të rritura të shtesës për CO2 që e solli Qeveria, dhe ato vetura kanë harxhime shumë më të larta. Nuk paguhet që të importojmë vetura të tilla. Duhet ulje e harxhimeve për veturat Euro 5 dhe Euro 6. Me këtë do të fitohet një subvencion dhe motiv shtesë që qytetarët të mund t’ia lejojnë vetes të ngasin vetura më të reja. Kjo do të ishte masë direkte për ekologjinë e vendit tonë”, tha Aleksandar Dimovski – importues i veturave.

Dimovski shton se më së miri do të ishte të ndalohet tërësisht importimi i veturave EURO 4, dhe të ulet tatimi për veturat më të reja.

“Po ajo është njëlloj sikur ti kishte ndaluar veturat Euro 4. Unë mendoj se strategji më të mirë për shtetin tonë është t’i ulë harxhimet për veturat tjera dhe ta kufizojë tërësisht importimin e veturave Euro4. Qytetarët të mund të kenë çmime të përballueshme për veturat më të reja”, u shpreh Aleksandar Dimovski – importues i veturave..

Dimovski thotë se ata ndonjëherë duan të importojnë edhe vetura elektrike mirëpo çmimet janë të papërballueshme, ndërsa nuk ka as infrastrukturë të nevojshme, gjegjësisht stacione për karikim, për këtë shkak në Maqedoni vetëm 0,03% janë vetura elektrike.

Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi që në vitin 2021 pat paralajmëruar se do të rritet standardi për importimin e veturave. Qëllimi atëkohë ishte që të ndalohet importimi i veturave me standard EURO 4, dhe të lejohet me standard mbi EURO 5. Mirëpo kjo nuk ndodhi. Në vend të kësaj, Qeveria vitin e kaluar miratoi rregullore dhe metodologji të re për mënyrën e përllogaritjes së tatimeve të veturave. Pyetëm Ministrinë e Ekonomisë pse nuk u ndalua importimi i veturave EURO4?

“Në këtë moment në Ministrinë e Ekonomisë nuk mendohet për ndryshim të rregulloreve me çka do të ndalohet importimi i veturave me nivel të emisionit të gazrave nën standardin EURO 5. Vendimi për ndryshim (rritje) të nivelit të emisionit të gazrave për veturat të cilat importohen, më së shumti vijnë nga Qeveria, e Ministria e Ekonomisë e zbaton me ndryshim të rregulloreve. Kur Qeveria do të debatojë për sjellje të vendimit për ashpërsim të kritere për importim të veturave të përdorura, për momentin, Ministria e Ekonomisë nuk ka informacion”, thonë nga Ministria e Ekonomisë.

Sipas statistikave të Drejtorisë së Doganave, vetëm në vitin 2023 janë importuar gjithsej 47050 vetura, prej të cilave 33213 të përdorura, dhe 9999 të reja. Rritja e pakontrolluar e veturave të shfrytëzuara në tregun vendor, shkakton probleme jo vetëm në pjesën e sigurisë dhe ndotjes së ajrit, por edhe në mungesën e vendeve të parkimit në hapësirat urbane. /TV21/