BallinaMaqedoni

Taravari vazhdoi fushatën në Dibër: Do t’i mbyllim bixhozin dhe kreditë e shpejta

Kandidati për president i koalicionit “VLEN”, Arben Taravari, prezantoi ofertën e tij presidenciale në Dibër, me ç’rast paralajmëroi mbylljen e bixhozit në tërë vendin, për të mos lejuar fitime nga fatkeqësia e qytetarëve apo nga tragjedia e familjarëve. Sipas tij, kushdo që e viziton Dibrën apo cilindo qytet tjetër shqiptar, sheh vetëm reklama kazinosh, bastoresh dhe lojërash tjera të fatit, për instalimin e të cilave, sipas tij, është fajtor BDI-ja dhe pushteti aktual. Po ashtu Taravari paralajmëroi edhe mbylljen e kredive të shpejta, si dhe faljen e borxheve të qytetarëve nga kreditë e shpejta. Po ashtu sipas Taravarit, Maqedonia e Veriut ka ngecur në shumë fusha përfshi ekonominë dhe drejtësinë.

“Të dashur dibran, zonja dhe zotëri, vendi ynë ka mbetur prapa në ekonomi, drejtësi, në demokraci, në të drejtat e qytetarëve, në të drejtat e popujve, në të drejtat minoriteteve, në punësim, në banim, në zhvillim, në arsim, e në shëndetësi, në çdo gjë jemi prapa. Prandaj është koha për ndryshim, të flakim të vjetrën, ta sjellim të renë. Me president të ri, me qeverisje të re, e me Kushtetutë të re, në një shtet të cilin të gjithë e duan dhe e ndjejnë si shtetin e tyre. Për shtet që vlen.”, – deklaroi kandidati për president i koalicionit “VLEN”, Arben Taravari.

Taravari tha se nëse merr besimin e qytetarëve, Maqedoninë e Veriut së bashku me koalicionin “VLEN” do të angazhohet që ta bëjnë një vend më të mirë për të jetuar.