Maqedoni

Taravari uron Shqipërinë për hapjen e kapitullit të parë për negociatat për anëtarësim në BE

Kryetari i ASH-së dhe ministri i shëndetësisë, Arben Taravari ka uruar Shqipërinë për hapjen e kapitullit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ai thotë se i gëzohet arritjes së Shqipërisë.

Taravari shton se ky hap vendimtar do të ndryshojë kursin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Urime Qeverisë së Shqipërisë dhe çdo shqiptari për një moment historik në rrugën e saj evropiane: hapja formale e negociatave për anëtarësimi në BE gjatë Konferencës së sotme ndërqeveritare. Ky hap vendimtar do të ndryshojë kursin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Objektivi i anëtarësimit 2030 të rajonit tonë në BE është mjaft ambicioz, por pa dyshim ende i arritshëm nëse punojmë në mënyrë produktive, efikase dhe të shpejtë”, shkruan Taravari në urimin e tij.

Tutje ka shtuar se nga ky rrugëtim do të përfitojë përvojë edhe Maqedoni.

“Ky lajm, padyshim na gëzon shumë edhe neve si shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, pasi BE-në e kemi synim të përbashkët, për më shumë zhvillim e prosperitet, më shumë barazi e drejtësi, si dy shtete që i takojnë Evropës”, shkruan Taravari në rrjetet sociale.

Ndryshe, Shqipëria këtë të martë ka hapur kapitullin e parë të negociatave për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.