Taravari: Të tërhiqet dekreti për emërimin e Fërçkoskit ambasador në OKB, është albanofob
Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari sot në konferencë për shtyp në Gostivar, u përqendrua në emërimin e Lubomir Fërçkoskit për ambasador të Maqedonisë së Veriut në KB në Nju-Jork dhe kërkoi nga presidenti i shtetit, Pendarovski ta tërheq dekretin.
“Ky dekret përmes errësirës së presidentit Pendarovski është skandal i paparë diplomatik dhe fyerje për shumicën e qytetarëve, për disa arsye. E para ka të bëjë me angazhimin politik dhe qasjen thellësisht antishqiptare të Fërçkoskit. Si ideolog i LSDM-së dhe ish-ministër i policisë, ai përdori të njëjtat metoda të përgjimeve si Gruevski dhe ishte skenarist i masakrës së Bit Pazarit, aferës së armëve dhe shumë episodeve të tjera të nëpërkëmbjes së shqiptarëve, të cilat nuk kanë marrë kurrë përgjigje”, vlerësoi Taravari. në konferencën për shtyp në selinë e degës së ASH-së.
Sipas tij, Fërçkoski është albanofob dhe jo i dëshiruar në SHBA.
“Prandaj i bëjmë thirrje presidentit Pendarovski, nëse me çdo kusht duan ta bëjnë Fërçkoskin ambasador, vendi i vetëm ku ky individ do të jetë i pranueshëm është Moska e Putinit, por në asnjë rast kryeqytetet e aleatëve tanë perëndimore”, tha Taravari.