Maqedoni

Taravari priti ambasadorin e BE-së, David Geer

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari në kuadër të projektit “BE-ja për ju”, në hapësirat e komunës sot priti në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian, shkëlqesinë e tij, David Geer.

Në takim u diskutua për çështje të rëndësishme si decentralizimi i pushtetit lokal, fuqizimi i vazhdueshëm i të rinjve dhe qendrat rinore në Gostivar, bashkëpunimi ndërkufitar, migrimi dhe marrëdhëniet e shkëlqyera ndëretnike që janë shembull për vendin tonë.

Taravari falënderoi ambasadorin David Geer për mbështetjen e vazhdueshme financiare evropiane për zhvillimin e Komunës së Gostivarit, zhvillimin e sektorit joqeveritar dhe projektet e realizuara në Komunën e Gostivarit.

“Në takim po ashtu u diskutua edhe për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, hapjen e skriningut bilateral javën e kaluar dhe çfarë do të thotë kjo për vendin tonë. Taravari siguroi ambasadorin Geer për mbështetje të parezervë për rrugën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut duke uruar që ky proces të kalojë shpejt e të përkthehet në ndryshime të prekshme për jetën e qytetarëve, me një drejtësi të besueshme, ekonomi të zhvilluar dhe mirëqenie për të gjithë.

Ambasadori David Geer po ashtu theksoi mbështetjen e Bashkimit Evropian në rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe shprehu gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit me Komunën e Gostivarit”, njoftuan nga kabineti i Taravarit.