Taravari për Kosova Press: Maqedonia e Veriut po kalon një prej periudhave më të vështira që pas pavarësimit
Taravari për Kosova Press: Maqedonia e Veriut po kalon një prej periudhave më të vështira që pas pavarësimit
admin2 admin2 admin2 admin2
24 mins ago
Maqedonia e Veriut po kalon një prej periudhave më të vështira që prej vitit 2001, thotë kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. Ai shpreson që opozita maqedonase do t’i votojë ndryshimet kushtetuese, derisa thekson se partitë shqiptare atje janë të gatshme për kompromise vetëm që të mos bllokohet rruga evropiane e shtetit.
Procesi i integrimit të Maqedonisë së Veriut rrezikon të bllokohet nëse komuniteti bullgar nuk përfshihet në preambulën e kushtetutës së vendit, kusht ky për vazhdimin e negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian, pas procesit të skriningut që përfundon në vjeshtë.
“Në Maqedoni është një kohë relativisht e vështirë me shumë mjegulla para nesh, me plot paqartësi, mund të them se një prej periudhave më të vështira të shtetit pas pavarësimit, nëse e tërheqim periudhën e vitit 2001 kur ishte lufta”, thotë në një intervistë për KosovaPress, Arben Taravari.
Parlamenti i Maqedonisë së Veriut do të fillojë debatin për ndryshimet kushtetuese më 18 gusht, derisa koalicioni qeverisës është në kërkim të votave për të arritur numrin 80 sa kërkohet për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
Është partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE të cilës po i kërkohen votat ndërkohë që ajo ka shfaqur kundërshtimet e saj për këtë kornizë.
Taravari thotë se në organet e partisë nuk e kanë diskutuar mundësinë e daljes nga qeveria.
Për dallim nga ministrat e Bashkimit Demokratik për Intergrim, të cilët dorëzuan dorëheqjet në qeveri, pasi opozita maqedonase e kushtëzoi votën me këtë, Taravari vlerëson se një veprim i tillë nuk është i duhur.
Kreu i Aleancës për Shqiptarët thotë se është optimist që të gjitha partitë në parlament do t’i votojnë ndryshimet kushtuese dhe pas kësaj vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Maqedonia e Veriut ka arritur marrëveshje të fqinjësisë së mirë me Bullgarinë dhe një prej kërkesave të kësaj të fundit ka qenë ndryshimi i Kushtetutës dhe përfshirja e komunitetit bullgar si komunitet i veçantë në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut. Në kushtetutë aktualisht janë shqiptarët, maqedonasit, vllehët, romët, boshnjakët, turqit e serbët.
Por për ndryshime kushtetuese nevojiten 80 nga 120 vota të deputetëve.
Aktualisht shumica parlamentare, me të gjitha partitë shqiptare të tjera, numërojnë 74 vota derisa mungojnë edhe gjashtë tjera për të bërë ndryshimet kushtetuese, vota të cilat po kërkohen të opozita maqedonase, VMRO-DPMNE.
Vendi i ka hapur negociatat me Bashkimin Evropian një vit më parë, ndërsa në nëntor të këtij viti përfundon procesi i skriningut dhe korniza negociuese nënkupton që në këtë fazë të bëhet ndryshimi i Kushtetutës.
https://kosovapress.com/taravari-maqedonia-e-veriut-po-kalon-nje-prej-periudhave-me-te-veshtira/