Taravari në një vijë me Kurtin: Gjuha shqipe nuk është zyrtare në Maqedoninë e Veriut
Kreu i ASH-së, Arben Taravari në intervistën për Alsat, u mundua t’i përshtatet fjalorit të Albin Kurtit, i cili tha se gjuha shqipe nuk është zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Ndonëse në kohën kur u miratua ligji në Kuvend, ai në mënyrë të qartë kishte shkruar se shqipja është bërë zyrtare. Taravari thotë se nuk mund të thuhet se shqipja në vend është zyrtarisht zyrtare, por kur ka thënë në vitin 2018-të se gjuha është bërë zyrtare, e ka pasur fjalën se përdorimi i shqipes është avancuar.
“Zyrtare është kur përdoret gjithandej dhe njësoj si gjuha maqedonase. Gjuha shqipe fatkeqësisht është gjuha të cilën e flasin vetëm 20% ose mbi, popullatës e cila banon në Republikën e Maqedonisë. Kështu që nuk mund të thuhet se gjuha shqipe oficialisht apo zyrtarisht është gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në statusin tuaj këtu shkruan, dje u miratua ligji që zyrtarizon gjuhën shqipe. Nejse e kemi bë se është sjellë ligji për përdorimin e gjuhës shqipe, me të cilat avancohet gjuha shqipe. Pra sot nuk mendoni njëjtë siç keni menduar në 2018-të. Jo jo unë përsëri mendoj se ekziston ligj për përdorimin e gjuhës, por kurrë nuk arritëm ta tërheqim 20%”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i ASH.
Megjithëse nuk është shqipja zyrtare, Taravari, thotë se ka shqipja nuk është zhdukur nga komunikimi zyrtar i disa ministrive, edhe pse Alsat raportoi për nivel shqetësues të shkeljes së Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Madje, Taravari nuk ndjehet përgjegjës për të ngritur zërin për mosrespektimin e shqipes nga kolegët, pasi që këtë ua ka lënë institucioneve përkatëse.
“A pritni ne si policë të shkojmë edhe të intervenojmë në ministri? Po detyra juaj është të kërkoni llogari sepse jeni partner koalicioni. Arta, ekzistojnë institucione, institucionet duhet ta bëjnë punën vet. Unë besoj se Agjencia për Zbhatimin e Gjuhës Shqipe do ta bëjë të veten dhe në të gjitha ministritë dhe në të gjitha institucionet ku nuk zbatohet gjuha shqipe duhet ta marrin dënimin të cilin e meritojnë”, tha Arben Taravari, kryetar i ASH.