Maqedoni

Taravari me dyshime për korrupsion edhe ndaj Ilir Demirit

Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari ka ngritur dyshime për shpërdorime dhe korrupsion ndaj ish drejtorit të Spitalit Klinik të Tetovës Ilir Demiri, shkruan Alsat.

Taravari tha se do bëhen hetime të të gjitha projekteve ku ka dyshime për korrupsion të mundshëm dhe së shpejti do të dilet edhe me raport konkret.

Sipas Taravarit, inspektime të tilla do të bëhen në të gjitha Klinikat dhe institucionet shëndetësore.

“Jemi duke reviduar shumicën e institucioneve…ka indicie se ka pasur keqpërdorime nga ish drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, por na jepni hapësirë që të dalim me dëshmi nëse kjo është e vërtetë, e nëse jo atëherë do mbeten vetëm indicie. Ne kemi vetëm një revizor në Ministri të Shëndetësisë ndërsa mbi 150 institucione shëndetësore ku në shumicën e tyre jemi duke reviduar, andaj duhet kohë që të dalin me raportet konkrete për keqpërdorime”, tha Arben Taravari, Ministër i Shëndetësisë.

Por ish-drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Ilir Demiri, hedh poshtë në mënyrë kategorike akuzat e Taravarit. Demiri madje iu bëri thirrje pasardhësve të tij që të vazhdojnë investimet në Klinikën e Tetovës.

“…investimet në spitalin e Tetovës kanë qenë transparente. Nuk është mirë dikush të akuzohet pa fakte dhe pa bazë, sidomos prej njeriut që drejton një institucion. Unë do them se në spitalin klinik të Tetovës, për gjashtë muaj sa e menaxhova unë, u bë një ndryshim i madh revolucionar pozitiv dhe unë, ju bëj thirrje gjithë bartësve të funksioneve publike që ajo punë që kam bë unë në spitalin klinik të Tetovës, të reflektoj që edhe ata të kenë sukses dhe të realizojnë. Në biografinë e tyre ata kanë qenë ministra dhe duhet të paktën të bëjnë një komparacion se çka kanë bë ata dhe çka kam bë unë”, theksoi Ilir Demiri, ish-drejtor i Spitalit Klinik të Tetovës.

Ministria e Shëndetësisë dyshon se disa projekte që janë realizuar në kohën e Demirit janë bërë pa respektuar procedurat ligjore për tenderim. / Alsat.mk