Maqedoni

Taravari: Flamuri kombëtar shqiptar do të vazhdojë të qëndrojë në zyrën time

Ministri i Shëndetësisë nga radhët e VLEN, Arben Taravari në Daily Click në TV21 tha se do të vazhdojë të mbajë flamurin shqiptar në zyrën e tij.

“Do vazhdojë ta mbajë, as që e diskutoj atë punë. Normalisht flamuri shtetëror ekziston, por edhe flamuri kombëtar i yni do të qëndrojë në zyrën time, pa dyshim”, theksoi Taravari.

Ai akuzoi ish-bashkëpartiakët nga krahu i Selës në Aleancën për Shqiptarët, se po japin dezinformata përmes fotografive me photoshop.

“Photoshop, këto janë metoda ruse, metoda të dezinformimit dhe lajmeve të rrejshme. Unë i shoh shumë aktiv këto, jo të BDI-së, por ish-partiakët tonë, fraksioni apo grupacioni që doli prej ASH-së, që u shkrinë në BDI, janë më tifozë se BDI-stat. Ju uroj që së paku mos të nxjerrin lajme të rrejshme”, shtoi Taravari.