Taravari: Do dalim në rrugë! Kovaçevski thotë se nuk ndikohet nga kërcënimet
Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, e nga ana tjetër pushteti as nuk do të dëgjojë.
Por Arben Taravari i ASH-së paralajmëron protesta në rrugë për rrëzimin e Qeverisë. Ai tha se kanë strategji dhe se pas kongresit të partisë ata do të jenë më të ashpër në kërkim të drejtësisë.
“Do dalim edhe në rrugë patjetër. Ne e kemi kongresin pas 27 marsit. Kemi strategji si do të veprojmë si opozitë, do të jemi shumë më të ashpër, shumë më të vrazhdë, shumë më agresiv kështu që do ta kërkojmë drejtësinë me çdo kusht”, tha Arben Taravari nga ASH.
Kryeministri Kovacevski i bindur thotë se zgjedhje do të ketë në vitin 2024 dhe se nuk ndikohet nga kërcënimet.
“Nuk jam njeri që ndikohem nga presione dhe kërcënime. Nëse në këtë moment pikë e vetme që opozita vlerëson se është për të diskutuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare, takim të tillë nuk do të ketë sepse edhe njëherë dua të përsërisë se zgjedhje do të ketë në vitin 2024, tha Kryeministri i RMV”, Dimitar Kovaçevski.
E lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski vlerëson se pushteti e ka të vështirë të tërhiqet nga privilegjet që, siç thotë, i shfrytëzon në kurriz të qytetarëve.
“Unë nuk pres që kjo qeveri kriminele do të dojë t’i lëshojë tepihët e trashë të kuq dhe kolltukët prej lëkure ku janë të shtrirë dhe privilegjet që i shfrytëzojnë në kurriz të qytetarëve. Nuk pres që atë ta pranojnë dhe thjesht pres do të largohen sepse janë të vetëdijshëm se pason përgjegjësi, tha Lideri i VMRO-DPMNE”, Hristijan Mickoski.
Për të arritur marrëveshje për zgjedhje të parakohshme parlamentare nevojitet takim liderësh, por ky takim nuk po organizohet shkaku se opozita kërkon që pikë e vetme të jetë pikërisht diskutimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.