Maqedoni

Taravari: ASH-ja do të këmbëngul për largimin e 20%-shit nga Kushtetuta!

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, thotë se partia e tij nuk heq dorë nga largimi i 20%-shit nga Kushtetuta, por nuk saktëson se si do ta shtyejë përpara këtë çështje, pas deklaratave të kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi se një gjë e tillë është e pamundur të bëhet përmes nismës aktuale që ndodhet në procedurë parlamentare dhe që ka për qëllim përfshirjen e pakicës bullgare në preambulë.

Në një intervistë për Alsat, Taravari nuk tregoi nëse ASH-ja do të kushtëzojë tërheqjen e 20%-shit nga kushtetuta.

“Kush thotë se e kemi harruar 20%-shin. Ne vazhdojmë të mendojmë se ka ende hapsirë për të instituar të tërhiqet nga Kushtetuta. Ne i kemi analizuar të gjitha imtësirat dhe detajet dhe na lejoni që kur të vije koha për tu votuar të tregojmë cilët janë hapat tonë. Koha do ta tregojë se ne e kemi mënyrën se si ta ecim këtë punë dhe nuk tërhiqemi prej kësaj deri në moment të fundit dhe me këmbëngulje do të insistojmë që 20%-shi të tërhiqet prej kushtetutës”, tha Taravari duke shtuar se partia e tij ka opsion rezervë edhe nëse kjo gjë nuk ndodh.

Por, edhe krahas këtyre deklaratave të Taravarit dhe politikanëve tjerë të opozitës shqiptare, kryetar i Kuvendit, Talat Xhaferi kohë më parë ka përjashtuar mundësinë për largimin e 20%-shit nga Kushtetuta përmes propozimit aktual.

Ai tha se në kuadër të kësaj iniciative, nuk ka hapësirë të bëhet ndërhyrje jashtë asaj që është sjell në vendimin e qeverisë, por për këtë do të duhej iniciativë tjetër, sepse, pasi që të dorëzohen në Kuvend propozim amendamentet, nuk mund të dorëzohen amendamente të reja, jashtë asaj që i propozon Qeveria si propozues.

Ai poashtu, ka thënë, se nuk mund të zhvillohet iniciativë paralele për ndryshim të kushtetutës, pasi ka afate të caktuara për të pasur iniciativë të re për ndryshimet kushtetuese.

“As propozuesi nuk guxon të dalë jashtë asaj që është sjellë vendimi. Ata nuk mund të propozojnë amendament të ri, sepse propozues i draft amendament është propozues i iniciativës” – tha Talat Xhaferi.

Xhaferi, gjatë një brifingu me gazetarët, njoftoi se, procesi i miratimit të ndryshimeve kushtetuese mund të zgjasë nga katër muaj e gjysmë deri në gjashtë muaj maksimum.