Taravari: Ahmeti dhe Grubi edhe për tragjedinë e Tetovës kërkojnë ekspertë të huaj për hetim
“Më e pakta sipas meje, zv.kryeministri i parë, z. Grubi duhej të dilte dhe të thoshte ja unë jap dorëheqje, apo ndonjë ministër tjetër, ministri i shëndetësisë ose drejtori i spitalit.”
Kështu tha sonte në “Zaspij ako mozhesh” në Tv Alfa, kryetari i Komunës së Gostivarit dhe ish ministri i shëndetësisë, Arben Taravari pas tragjedisë së mbrëmshme që ndodhi në Tetovë.
“Duhet të ekzistojë përgjegjësia morale. Dorëheqja e tyre do të na çonte të mendojmë se në Maqedoni ka moral te politika. Nuk mund të them se ajo nuk ekziston aspak. Pastaj vjen hetimi, përgjegjësia. Besoj se do të ketë dhe nuk do të ndodh sikurse me rastet e tjera në Maqedoni, pas tre ditësh gjithçka harrohet, pas dhjetë ditësh populli ende nuk e di se çfarë ka ndodhur dhe të thuhet se nga Zoti ka qenë e shkruar të ndodh. Kjo nuk është nga Zoti, por nga faktori njeri. Të paktën të kishte një pikë morali, do të thonin se këtu tërhiqem, distancohem dhe jap dorëheqje e pastaj institucionet le të hetojnë dhe le të sjellin vendim dhe pastaj të ketë përgjegjësi ligjore“, deklaron Taravari.
Para përgjegjësisë ligjore është ajo morale, tha më tej Taravari, sepse sipas tij, me dorëheqje morale jep hapësirë të zhvillohet hetimi pa pengesa.
“Gjithmonë z. Ahmeti dhe Artan Grubi dalin dhe na thonë se do të vijnë ekspertë të huaj për ta zgjidhur problemin. Le të japin dorëheqje që mos ndikojë funksionari, pasi nga pozita e funksionit edhe vendimet e disa institucioneve të caktuara, ka rezervë. Prandaj, për të dëshmuar në situata të këtilla se jeni i pastër, jepni dorëheqje morale. Thoni distancohem dhe le të gjendet përgjegjësia“, tha më tej ish ministri i shëndetësisë, Taravari.
Taravari shtoi se funksionarët e BDI-së sot janë sjellë njëlloj sikurse me rastin në Kumanovë dhe shumë raste të tjera, në vend që të dorëhiqen dhe të lejojnë hetim të pavarur.