September 19, 2024
Maqedoni

Talat Xhaferi: Në 30 vite Parlament nuk ka patur shkelje sikurse kjo e Afrim Gashit

“Në 30 vitet e fundit, kurrë nuk ka ndodhur që procedura e rregullt të ndërpritet dhe mos të respektohen nenet nga 146 deri në 151 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që saktësisht e përcakton të gjithë procedurën. Ju keni bërë shkelje flagrante të procedurës”, thuhet mes tjerash në reagimin e Talat Xhaferi, deputet në grupin parlamentar të Koalicionit Fronti Evropian, ndërsa i drejtohet kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, kryetarit të Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit, Mile Lefkov, si dhe sekretares së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Marina Dimovska.

Reagimi i plotë i Talat Xhaferit:

Në lidhje me seancën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me numër 12, të mbajtur më 12 gusht 2024, në të cilën reagova për shkeljen e rëndë të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, reagoj edhe në këtë mënyrë për shkak të:

1. Mosveprimit sipas Rregullores së re, të miratuar nga deputetët e mandatit të kaluar, të verifikuar në Arkivin e Kuvendit me numër 08-6027/1, më 20 nëntor 2023, Shkup, ndërsa të botuar në Gazetën Zyrtare të RMV-së, me numër 248, nga 24.11.2023.

Ajo që u ishte shpërndarë deputetëve në përbërjen e re është broshurë e zakonshme, e cila mund të jetë e dobishme për punim personal, por nuk mund të përdoret si burim i së drejtës. Duke pasur parasysh që Rregullore zyrtare e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut është ajo që ishte miratuar me konsensus me ndërmjetësimin evropian të Zhan Monesë, pas dialogut shtatëvjeçar në dy mandate parlamentare. Broshura në fjalë është përpiluar për përdorim të brendshëm për deputetët, megjithatë nuk i përmban të gjitha elementet identifikuese, përkatësisht nënshkrimin dhe numrin arkivor: Në atë kohë e nënshkruar nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, me numër arkivor 08-6027/1, nga 20 nëntor 2023. Me veprimin e tillë humb besueshmëria e tekstit të botuar – Rregullores.

Për këtë arsye, Ju njoftoj dhe kërkoj nga Ju që në afat të arsyeshëm, kjo të korrigjohet, duke pasur parasysh që ky akt juridik është dokumenti më i lartë, ose Kushtetuta, sipas së cilës punon Kuvendi. Duke pasur parasysh që funksioni dhe organizimi i Kuvendit, si organ përfaqësues dhe bartës i pushtetit legjislativ, rregullohet me Kushtetutë dhe Rregullore, konsideroj se përpilimi i kësaj broshure, në të cilën është përfshirë përmbajtja e tekstit të Rregullores ekzistuese, duhet në tërësi ta pasqyrojë tekstin zgjedhor që është botuar.

2. Mosrespektimit të afatit për konvokimin e seancave. Edhe kjo seancë nuk ishte konvokuar sipas afatit të paraparë në Rregullore, në pajtim me nenin 74, 150 (nuk respektohet afati prej 10 ditë para mbajtjes së seancës, por keqpërdoret neni 74, paragrafi 2, i cili thotë: Në raste urgjente, kryetari i Kuvendit mund të konvokojë seancë edhe në afat më të shkurtër se 10 ditë pune, ndërsa rendin e ditës me materialet mund ta propozojë edhe në vetë seancën). Për fat të keq, tashmë është bërë praktikë që seancat mos të konvokohen në kohë.

3. Heqjes së pikës nga rendi i ditës që është në procedurë për shkak të arbitraritetit. (Pika 34 – Propozim-ligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojërat e fatit dhe për lojërat argëtuese – leximi i parë, i parashtruar nga deputetët Ilire Dauti, Elmi Aziri, Blerim Bexheti, Sadulla Duraku, Diana Toska, Rina Ajdari dhe Ilir Hasani).

Rregullorja Ju përcakton procedurë legjislative që fillon nga momenti i shpërndarjes së materialeve për deputetët (neni 144). Propozim-ligjin që e keni hequr nga rendi i ditës është në procedurë të rregullt, që do të thotë se Kuvendi duhet të diskutojë sipas procedurës së rregullt dhe të vendosë pas diskutimit të përgjithshëm nëse ka nevojë të votohet apo jo, dhe jo sipas dëshirës personale të dikujt nëse dëshiron që ajo pikë të jetë në rendin e ditës. Sipas nenit 76 të Rregullores së Kuvendit, (1) Deputeti dhe Qeveria deri në përcaktimin e rendit të ditës të seancës, mund të propozojnë futjen e pikave në rendin e ditës, vetëm në rastet e nevojës urgjente dhe të paanulueshme. (2) Propozuesit nga paragrafi (1) të këtij neni janë të detyruar të parashtrojnë material me shkrim dhe ta arsyetojnë urgjencën në kohëzgjatje prej 10 minuta. (3) Deputeti dhe Qeveria, pas konvokimit të seancës, mund të propozojnë anulimin apo tërheqjen e pikave të caktuara të rendit të ditës dhe të japin arsyetim për të.

Pra, vetë propozuesi (deputeti, grupi parlamentar, Qeveria ose 10 mijë nënshkrime të qytetarëve me propozues të autorizuar) mund ta tërheq propozimin në çdo moment derisa nuk ka përfunduar diskutimi i përgjithshëm, para se të përfundojë diskutimi, mund të hiqet Propozim-ligji nga rendi i ditës.

Ju keni bërë shkelje flagrante të procedurës. Në 30 vitet e fundit, kurrë nuk ka ndodhur që procedura e rregullt të ndërpritet dhe mos të respektohen nenet nga 146 deri në 151 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që saktësisht e përcakton të gjithë procedurën.