Takim Lloga-Tunç në Ankara, avancohet bashkëpunimi Maqedoni-Turqi në gjyqësor
Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, në kuadër të vizitës dyditore në Ankara, realizoi takim me Ministrin e Drejtësisë së Republikës së Turqisë, Jilmaz Tunç, kumtoi Ministria e Drejtësisë.
Dy ministrat diskutuan për reformat në sistemin gjyqësor, teknologjinë informatike dhe thellimin e bashkëpunimit mes institucioneve të dy vendeve mike.
“U diskutua për reformat e mëdha në sistemin gjyqësor që janë parashikuar në Strategjinë zhvillimore (2024-2028), ndryshimet në Ligjin për këshillin gjyqësor, ndryshimet në Ligjin për prokurorinë publike, ligjin e ri për falje i cili është në procedurë parlamentare, si dhe Ligjin për ekzekutimin e sanksioneve.
Dy ministrat diskutuan edhe për bashkëpunimin e ndërsjellët, për protokollet dhe memorandumet e shumta që janë nënshkruar gjatë viteve të kaluara.
Është rënë dakord që, së bashku me ministrin e Turqisë, Jilmaz Tunç në Shkup të nënshkruhet memorandum për bashkëpunim në të gjitha nivelet, veçanërisht për sistemin e burgjeve për të mundësuar risocializimin e personave që vuajnë dënimin me burg”, theksohet në kumtesë.
Në takim është shprehur gatishmëria për të organizuar konferenca ndërkombëtare dhe bilaterale, vizita studimore dhe programe për trajnim për institucionet gjyqësore.
“Përvoja e Turqisë mike në fushën e së drejtës është e madhe. Pikërisht për këtë arsye është kërkuar nga autoritetet turke që me ne t`i ndajnë edhe përpjekjet për riintegrimin e Seksionit për të drejtat e njeriut, Njësisë për marrëdhënie ndërkombëtare, Seksionit për ndërmjetësim gjyqësor, Sistemit UYAP, Seksionit për marrëdhënie ndërkombëtare, Byrosë për përfaqësim pranë GJEDNJ-së, Njësisë për ndëshkim-korrektim dhe paraburgim në kuadër të programit të risocializimit dhe çështje të tjera”, theksohet në kumtesëb e Ministrisë së Drejtësisë.