Lajmet e rejaMaqedoni

Surprizë e (pa)këndshme për Ganimete Musliun në Shkup: Kolegët nga Maqedonia e presin me përkrahje ndaj qeverisë Kurti për Veriun

E mbështesim qeverinë e Kosovës në angazhimin e saj për të ushtruar sovranitetin në tërë territorin e Kosovës, është theksuar në takim.

Si anëtar i komisionit për punë të jashtme të Maqedonisë së Veriut në përbërje: Antonio Milloshovski-kryetar, Halil Snopçe, Arta Bilalli dhe Lidija Tasevska si anëtarë, patëm takim me kryetarin e komisionit për bashkëpunim në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, kryesuar nga deputetja Ganimete Musliu, ku merrnin pjesë edhe deputetja Vlora Dumoshi të shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, shkëlqesia e tij, z. Florian Qehaja, njoftoi deputeti i ASH-sē, Halil Snopçe.

“Në kuadër të takimin pata rastin të uroj Republikën e Kosovës për liberalizimin e vizave. Poashtu, delegacionit Kosovar i shpreha uratat e mia për përparimin e arritur edhe atë gjithnjë sipas vlerësimit të instancave ndërkombëtare me relevancë, që i bëjnë matjet në të gjitha shtetet. Pra, e urova delegacionin Kosovar për faktin që Republika e Kosovës, sipas këtyre matjeve, është shteti me zhvillim më të madh në rajon për sa i përket shkallës së zhvillimit ekonomik, luftës kundër korrupsionit dhe shkallën e zhvillimit të demokracisë. Këto informacione dhe parametra tregojnë se Republika e Kosovës është në rrugë të duhur.

Për të dëshmuar këtë potencova edhe faktin që e njëjta nuk mund të thuhet për Maqedoninë e Veriut. Këtë e bazova në vlerësimin e 33 kapitujve të progres raportit të Komisionit Europian që dëshmon se Maqedonia e Veriut nuk ka arritur asnjë progres prej vitit 2015 kur në pushtet ishte regjimi i Gruevskit, e deri më 2022. Nëse në vitin 2015 përgatitja mesatare e Maqedonisë së Veriut vlerësohej me notën 3.0, e njëjta ka ngelur e pandryshuar edhe ditët e sodit. Vlerësimi total i 33 kapitujve tregon për një progres thuajse të papërfillshëm prej 1.5 pikëve nga gjithsej 165 pikë ndër shtatë vite (2015-2022).

Poashtu u referova edhe Freedom Housit, i cili institucion për sa i përket nivelit të demokracisë në shtatë aspektet e demokracisë liberale (për institucionet e zgjedhura lokale dhe nacionale, institucionet e pazgjedhura si autoritetet e gjyqësisë dhe të antikorupsionit si dhe institucionet joqeveritare si mediat dhe shoqëria civile), thotë se raporti i dy viteve të fundit me nota 3.86 këtë vit dhe 3.82 vitin paraprak, janë më të vogla se në kohën e Gruevskit kur ishin 4.07 në vitin 2013, 4.00 në vitin 2014 dhe 3.93 në vitin 2015. Pra, për dallim nga Kosova, Maqedonia e Veriut ngec edhe në shkallën e zhvillimit të demokracisë.

Në lidhje me situatën në veri të Kosovës, përsërita që Aleanca për Shqiptarët e mbështet qeverinë e Kosovës në angazhimin e saj për të ushtruar sovranitetin në tërë territorin e Kosovës. Potencova se ne përkrahim çdo marrëveshje të arritur në mes Kosovës dhe Serbisë e iniciuar nga BE-ja dhe SHBA-ja, për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve. Ne i inkurajojmë palët për nisjen e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit.

Potencova qëndrimin tonë se duhet të arrihet kompromisi, por poashtu pranojmë faktin që demokracia nuk mund të jetë kompromis. Potencova se nuk mund të pezullohet kushtetuta, nuk mund të pezullohet ligji dhe nuk mund të pezullohet demokracia. Përkrahim çdo kompromis politik, por poashtu ftojmë të gjithë anët të zbatojnë ligjin.

Pasi parametrat tregojnë se ka përparim të dukshëm në Kosovë në zhvillim ekonomik, në luftën kundër korrupsionit dhe në shkallën e demokracisë, atëherë me çdo kusht duhet të insistohet në ruajtjen dhe rritjen e këtij përparimi. Çdo insistim në drejtim të kundërt, paraqet një tendencë për ta kthyer normalitetin në anormalitet”, njoftoi Snopçe pas takimit. /Lideri