Maqedoni

Strugë-Ohër, pritet një sezon turistik i mirë

Sezoni turistik në Liqenin e Ohrit më herët ka filluar që në muajt mars dhe prill, ndërsa viteve të fundit pas pandemisë, sezoni fillon pak më vonë. Megjithatë rezervimet për festat e Bajramit dhe Pashkëve si dhe rezervimet për muajt e verës tashmë kanë filluar. Nga shoqata e hotelierëve thonë se sezoni i kaluar veror në Strugë dhe Ohër shënoi një rekord të ri, ndërsa sipas parashikemeve pritet që ky sezon të jetë po aq i mirë.

“Vitin e kaluar kishim sezonën më të mirë që nga viti 2019, këtë vit pritet që të paktën ti kemi përsëri mysafirët e vitit të kaluar, me ndonjë rritje të vogël. Pjesa e mysafirëve me tur operatorë, që janë nga Turqia, Hollanda dhe Polonia që janë të shumtë tek ne, tashmë i kanë bërë rezervimet, gjithashtu pritet që edhe numri i mysafirëve të tjerë të rritet dhe në fund, sezoni të jetë edhe më i mirë se ai i 2023”, u shpreh kryetari i HOTAM, Kërste Blazheski.

Gjatë sezoneve turistike të vitit 2023, shërbimet hotelierike kishin rritje të çmimeve prej 20 deri në 30%. Ndërsa për sezonin e ardhshëm veror nuk dihet ende nëse do të ketë ende rritje të çmimit të shërbimeve, megjithatë nga HOTAM thonë se edhe nëse ka rritje, do të ketë rritje të vogël të çmimeve.

“Edhe përkundër asaj që kishte rritje vitin e kaluar, ne ishim destinacioni më i lirë. Dhe këtë vit nëse do të ketë rritje, nuk e di, ndoshta diçka e vogël, për shkak të shtrejntimit të tregut, në lidhje me energjinë, me ushqimin, gjithashtu edhe me fuqinë punëtore që kishte edhe rritje të rrogave dhe një pjesë e tyre ndikuan tek rritja e çmimeve që ishte vitin e kaluar. Këtë vit mund të ketë rritje të vogël,sipas tregut. Nuk pritet ndonjë rritje e madhe e çmimeve”, theksoi Blazheski

Për shumë destinacione pak më të largëta, siç është edhe Kina prej ku para pandemisë ka pasur turistë në Liqenin e Ohrit, ju kërkohet viza dhe procedura të tjera për të hyrë në Maqedoni. Nga HOTAM thonë se këto procedura i shmangin ato për të vizituar Maqedoninë, ndërsa vendet e rajonit i kanë lehtësuar këto procedura.