Maqedoni

Stoilkoviqi e fshiu gjuhën shqipe nga përdorimi

Ministria për Marrëdhënie ndërmjet Komuniteteve, që ka për obligim pikërisht të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit, nuk e respekton një ndër parimet kryesore të saj, trajtimin e barabartë të qytetarëve. Prej ardhjes së Ivan Stoillkoviqit në krye të saj, kjo ministri ka fshirë gjuhën shqipe nga përdorimi edhe përskaj obligimit që ia ngarkon neni 2, paragrafi 3 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, përcjell Alsat.

Arsyetimi i ministrisë është i çuditshëm. Mungesën e shqipes e lidhin me një problemi teknik. Por ky problem teknik, shfaqet vetëm kur duhet të dërgohen kumtesat në shqip, pasi kumtesat në maqedonisht, dërgohen rregullisht pa probleme.

“Në lidhje me pyetjen rreth gjuhës në të cilën dërgohen kumtesat deri te mediat, dëshirojmë të ju njoftojmë se nuk bëhet fjalë për lëshim të qëllimshëm ose mosrespektim të mediave shqiptare, por për problem teknik në të cilin po punohet për momentin dhe besojmë se do të tejkalohet sa më shpejtë që është e mundur. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe ju garantojmë se kumtesat të cilat i dërgon MMK do të përkthehen, do të jenë të qasshme dhe do t’u vendosen në dispozicion edhe mediave shqiptare”, thonë nga Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve.

Tanimë pesë muaj, ky institucion nuk e respekton as obligimin tjetër ligjor. Nenin 6, paragrafin 4, i cili thekson se përmbajtjet në ueb-faqet e institucioneve krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj, detyrimisht duhet të publikohen edhe në shqip.

Por, moszbatimin e detyrimit ligjor ministria e Stoillkoviqit e arsyeton me problem teknik. Ueb-faqja është në fazë të përpunimit, thonë nga Ministria, ndërkaq për këtë përmbajtjet mund të lexohen vetëm në maqedonisht./Alsat.mk