Kosovë

Specialja ua vazhdon paraburgimin Veselit, Krasniqit dhe Selimit

Në vendimet e gjyqtarit paraprak për vazhdimin e paraburgimit ndaj Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit thuhet se rreziqet që ata të pengojnë procedurat e gjykatës dhe kryejnë krime të mëtejshme mund të zbuten përmes kornizës së monitorimit në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara.

Këto vendime janë publikuar më 1 dhjetor në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në vendimin me të cilin iu vazhdua paraburgimi Kadri Veselit thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake konkludon se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që Veseli do të arratiset, do të pengojë mbarëvajtjen e procedurës së Dhomave të Specializuara, ose do të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që përceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë ofruar ose mund të ofrojnë prova në këtë rast dhe/ ose do të paraqiten në Dhomat e Specializuara.

,Tutje aty thuhet se ndërkohë që rreziku i mesazheve dhe udhëzimeve të paligjshme nuk mund të eliminohet plotësisht, masat e vendosura në Institucionet e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara, të parë në tërësi, ofrojnë garanci të forta kundër vizitave dhe komunikimeve të pamonitoruara me anëtarët e familjes dhe vizitorët e para-miratuar me qëllim për të minimizuar rreziqet e pengimit dhe kryerjes së krimeve të mëtejshme.

Në vendim theksohet se sipas mendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, Policia e Kosovës nuk ka ofruar garanci që vërtetojnë se ka kapacitet për të zbatuar masat përkatëse që minimizojnë mjaftueshëm rreziqet ekzistuese.

“Rrjedhimisht, gjyqtari i procedurës paraprake konkludon se edhe me parashtresën e parë dhe të dytë të Policisë së Kosovës, kushtet e propozuara nga Mbrojtja mbeten të pamjaftueshme për të zbutur në mënyrë adekuate rreziqet sipas nenit 41(6)(b)(ii)-( iii) të Ligjit në lidhje me Veselin dhe përveç kësaj, çdo kusht shtesë i vendosur nga gjyqtari i procedurës paraprake nuk do të ndikonte në këtë përfundim”, njoftojnë Dhomat e Specializuara përcjell Klankosova.

Sipas gjykatës, nga kjo rrjedh se komunikimet e Veselit mund të kufizohen dhe monitorohen në mënyrë efektive në një mënyrë për të zbutur mjaftueshëm rreziqet që ai të pengojë procedurat e Dhomave të Specializuara ose të kryejë krime të mëtejshme përmes kornizës së monitorimit në Objektet e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara.

Edhe në vendimin sa i përket Rexhep Selimit thuhet se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që ai do të arratiset, do të pengojë mbarëvajtjen e procedurës së Dhomave të Specializuara ose do të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që përceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë ofruar ose mund të ofrojnë prova në këtë rast dhe/ ose do të paraqiten përpara se Dhomave të Specializuara.

Njëjtë si për Veselin, edhe për Selimin, gjyqtari i procedurës paraprake ka konkluduar se me parashtresat e PK-së dhe parashtresat e PK-së për Veselin, kushtet e propozuara mbeten të pamjaftueshme për të zbutur në mënyrë adekuate rreziqet sipas nenit 41(6)(b)(ii)-(iii) të Ligjit në lidhje me të dhe përveç kësaj, çdo kusht shtesë i vendosur nga gjyqtari i procedurës paraprake nuk do të ndikonte në këtë konkluzion.

“Nga kjo rrjedh se, siç u argumentua më parë, komunikimet e z. Selimi mund të kufizohen dhe monitorohen në mënyrë efektive në një mënyrë për të zbutur mjaftueshëm rreziqet që ai të pengojë procedurat e Dhomave të Specializuara ose të kryejë krime të mëtejshme përmes kornizës së monitorimi në Objektet e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara”, thuhet në këtë vendim.

Edhe në vendimin për Krasniqin, përmendet se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që i njëjti të arratiset dhe të pengojë mbarëvajtjen e procedurës, ose të kryejë vepra të mëtejshme kundër atyre që përceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë dëshmitarët, të cilët kanë ofruar ose mund të ofrojnë prova në këtë rast dhe/ose duhet të paraqiten para Dhomave të Specializuara.

“Nga kjo rrjedh se, siç u argumentua më parë, komunikimet e z. Krasniqi mund të kufizohen dhe monitorohen në mënyrë efektive në një mënyrë për të zbutur mjaftueshëm rreziqet që ai të pengojë procedurat e Dhomave të Specializuara ose të kryejë krime të mëtejshme përmes kornizës së monitorimit në Objektet e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara”.