Spasovski: Tifozët bullgarë kanë provokuar në Çair
Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski informoi se gjatë ndeshjes në mes Shkupit dhe Levskit nuk ka pasur incidente, por para fillimit të ndeshjes një grup tifozësh nga Bullgaria janë sjellë dhunshëm ndaj pjesëtarëve të policisë.
Spasovski thotë se të gjithë tifozët nga Bullgaria që kanë mbërritur të organizuar në pikën kufitare “Deve Bair” janë pritur dhe janë sjellë në stadiumin e Shkupit me kordon policor. Por ai tha se ndoshta ka pasur tifozë që janë ndarë nga grupi ose kanë ardhur me makina private.
“Ndoshta kanë qenë disa automjete që kanë ardhur të paorganizuara dhe kur kanë kaluar nëpër Çair, nga një provokim i caktuar që kanë bërë, ka pasur konflikt. Sulmuesit janë identifikuar dhe së shpejti do të kemi të gjitha informatat e detajuara”, ka bërë të ditur Spasovski.
“Ngjarjet sportive duhet të jenë vende për t’u shijuar dhe ky është mesazhi kryesor që dua të dërgoj”, tha ministri i Punëve të Brendshme në lidhje me incidentet e mbrëmshme para ndeshjes Shkupi – Levski.