Spasovski: Për pesë grupe mafioze nuk kemi prova
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në intervistën e sotme për Radio Evropa e Lirë tha se policia ende nuk ka prova për të dyshuar për të shtënat në vende publike në vitet e fundit, ndër të cilat kishte edhe vrasje mafioze. Vrasje ka pasur në rrugën Ruzveltova, në Butel, Çair dhe në çarshinë e Shkupit si dhe ka pasur të shtëna edhe në ndërtesa si “Alexander Palace” dhe “East Gate Mall”.
OLIVER SPASOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME
“Është e saktë ajo që ju e deklaroni si fakt dhe ato janë rastet, në të cilat nuk kemi siguruar dëshmi deri në fund për kryerjen e veprave penale, megjithatë ato janë vetëm pesë nga 128 raste. Perceptimin duhet ta ndërtojmë në fakte dhe argumente. Ndërimi i strukturave kriminele zgjat 30 vite dhe në ato 30 vite ka pasur vrasje të këtilla, ndërsa ndërtimi i atyre strukturave është ndihmuar çdoherë nga institucionet”.
Lidhur me të shtënat ndaj Rade Trajkovskit – Shtekli, Spasovski tha se hetimet janë në një fazë të avancuar. Siç tha ai, janë marrë një sërë masash dhe janë siguruar më shumë prova.
OLIVER SPASOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME
“Janë ndërmarrë një sërë masash dhe janë siguruar më shumë dëshmi. Ky rast zhvillohet me ndihmë juridike ndërkombëtare, ndërsa ajo ndihmë do të na ndihmojë në sigurimin e dëshmive të caktuara”.
Lidhur me faktin se bandat mafioze po luftojnë ndërmjet vete në rrjetet sociale para vetë policisë, ministri tha se kjo është një mënyrë e re jetese ku Ministria e Brendshme nuk mund të ndikojë.