Spasovski: Ka formularë për pasaporta, dhënia e dokumenteve vazhdon edhe pas 12 shkurtit
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski deklaroi sot se ka formularë për pasaporta, pasi avokati i popullit, Naser Zyberi të dielën në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se qytetarët ankohen te Avokati i Popullit se MPB nuk e respekton afatin ligjor për dhënien e dokumenteve dhe tha se MPB ka mungesë të formularëve për pasaporta, si dhe për dokumentet e tjera.
“Ka formularë për pasaporta, një sasi e re do të arrijë të hënën, pas një jave do të arrijë edhe sasia e dytë, kështu që formularë në këtë pjesë ka dhe nuk duhet aspak të shqetësohemi nëse do të vazhdojë i gjithë procesi”, tha Spasovski në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve se a ka formularë për pasaporta pas panelit “Maqedonia e Veriut – anëtare e sigurt në NATO me të ardhme evropiane”.
Në lidhje me turmat të cilat krijohen për nxjerrjen e dokumenteve personale, ndërsa afati i të cilave është deri më 12 shkurt, Spasovski tha se më 12 shkurt nuk do të ndalet dhënia e dokumenteve.
“Në vitin 2021 kemi përgatitur vetëm 120.000 dokumente, që do të thotë se i kemi lënë detyrimet për më vonë ose të presim deri në ditën e fundit. Po të shikojmë territorialisht, brendësia e vendit e ka përfunduar punën thuajse njëqind për qind. Fatkeqësisht, kjo po ndodh në Shkup, por edhe këtu kemi bërë përparim serioz, vetë numri i lëshuar mbi 1,25 milionë dokumente udhëtimi dhe mbi 1,1 milionë letërnjoftime dhe rreth 550.000 patentë shoferë, tregon se procesi është duke u mbyllur. Dhe më e rëndësishmja është që lëshimi i dokumenteve të mos ndalet më 12 shkurt, ato mund të vazhdojnë të lëshohen edhe më tutje”, thotë Spasovski.