Kosovë

Sot përkujtohet 25 vjetori i rënies së dëshmorit Myrtë Zeneli

Përkujtimi i dëshmorëve është vlerë për lirinë që rrit autoritetin e përkujtuesve, por që kërkon edhe përkushtim për përsosjen e rrugës nëpër të cilët na kanë orientuar dëshmorët të ecim drejt ardhmërisë se vendit. Me rastin e 25 vjetorit të rënies heroike të dëshmorit të kombit, Myrtë Zeneli, sot me fillim në ora 11:00, në kompleksin memorial të dëshmorëve të fshatit Shqiponjë, nderohet figura e lavdishme e njërit prej luftëtarëve të parë të lirisë.

“Duke perkujtuar deshmoret nderojme dhe respektojme historine e lavdishme te shtetit tonë”, njoftojnë nga Këshilli Organizativ.

Myrtë Zeneli u lind më 11 tetor të vitit 1962 në fshatin Shqiponjë, ish-Jabllanicë. Prindërit Rexhë dhe Fane Zeneli me mund e sakfirica, por edhe me krenari rritin fëmijët e tyre: Mehmetin, Beqirin, Ademin, Myrtën, Ruxhdiun dhe Hatmanen.
Myrta shkollën fillore e mbaron në fshatin Zhebel, ndërsa shkollën e mesme në Gjakovë. Rrjedh prej një familje me tradita të mirënjohura të qëndresës kundër pushtimit sllav. Gjyshi i tij Binak Zeneli, në shenjë hakmarrjeje kundër krimeve serbe në Dushkajë, në vitin 1923 vret një xhandar serb, i cili kishte marr pjesë në masakrimin e shqipëtarëve në Jabllanicë në vitin 1921, me ç’rast serbët kishin masakruar 60 shqiptarë në mesin e tyre edhe vëllanë e tij 14-vjeçar.
Familja Zeneli e Shqiponjes asnjëherë nuk e ndali e rezistencën kundër okupatorit.
Pas mbarimit të shkollës së mesme, Myrtë Zeneli zë punë në Gjakovë me qëllim për ta ndihmuar familjen.
Merr pjesë aktive në demonstratat që u zhvilluan në vitet 1989-1990, kurdoherë në ballë të tyre. Shpirti i tij luftarak tanimë ishte kalitur dhe ai projektonte në mendje kundërvënien e armatosur, si të vetmen formë e rezistencës për ta shporrur njëherë e përgjithmonë pushtetin okupator nga Kosova.
Qysh në tetor të vitit 1995, Myrtë Zeneli vë kontakt me radhët e grupeve të para ilegale të UÇK-së, për Dukagjinin. Ai së bashku me Agim Zenelin, Naser Brahimaj, Lahi Brahimaj e të tjerë marrin pjesë në zgjerimin dhe konsolidimin e radhëve të UÇK-së sidomos në trevën e Dushkajës, në Lug të Baranit e në pika të tjera strategjike. Deri në daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kryen disa aksione të fshehta kundër forcave policore serbe.
Në prill të vitit 1998 komanda e zonës e emëron epror në njësitin sulmues të Dushkajës. Qysh prej asan kohe Myrtë Zeneli merr pjesë në luftimet e shumta kundër okupatorit në Sukë të Cërmjanit, në Kralan, Jabllanicë, Qeskovë e pika të tjera. Me tërë qenien i përkushtohet luftës çlirimtare dhe nuk ndalet hovi i tij luftarak në luftë kundër armikut.
Në Këpuz, në maj të vitit 1998 u zhvilluan luftime ballë për ballë me forcat e policisë dhe të ushtrisë serbe. Në ato përleshje direkte marrin pjesë: Myrtë Zeneli, Agim Zeneli, Naser Brahimaj, Alush Agushi nga Drenoci i Klinës dhe shumë luftëtarë të tjerë. Beteja kishte qenë vendimtare, ndërsa goditja e helikopterit ushtarak serb nga mitralozi kundërajror i komandantit Naser Brahimaj dhe rrethimi që iu bë forcave serbe në Qafë të Dollovës, shënojnë kulmin e furisë së luftëtarëve të Dukagjinit kundër barbarisë armike, ndërsa luftës çlirimtare i japin impulse jashtëzakonisht të fuqishme. Goditja e helikopterit ushtarak, e tipit ‘’Kobra’’, shënon fitorën e parë të këtij lloji të luftëtarëve të Dukagjinit kundër forcave ajrore të okupatorit.

Në epopenë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krahas Gllogjanit heroik, në Dukagjin shquhej edhe Jabllanica e Dushkajës, banorët liridashës e së cilës lirisë së Kosovës ia falën njëmbëdhjetë dëshmorë. Jo vetëm njëherë banorët e këtij fshati heroik ishin gjakosur nga formacionet banditeske të armatosuea shtetërore serbe.

Më 21 maj të po atij viti, në luftë kundër forcave të okupatorit, përveç Myrtë Zenelit, Naser Brahimajt e Agim Zenelit me shokë, marrin pjesë edhe Xhelal Hajda, Fadil Nimani, Alush Agushi e shumë trima të tjerë. Po atë ditë Myrtë Zeneli ishte pozicionuar rreth Qafës së Dollovës nga drejtimi i Bokshiqit. Ndërkohë forcave të rrethuara armiku iu vijnë përforcime nga të gjitha anët. Në luftë për të mos i lëshuar pozicionet e UÇK-së që granatoheshin me armë të rënda të artilerisë, në fushën e nderi bie dëshmor Myrtë Zeneli, njëri ndër luftëtarët më të paepur në trevën e Dukagjinit.
Në korrik të vitit 1998, me rastin e ristrukturimit të UÇK-së, emrin e dëshmorit Myrtë Zeneli, e merr Brigada 132 e Zonës Operative të Dukagjinit, zonë të cilën e komandoi Ramush Haradinaj.
Myrtë Zeneli ka qenë i martuar dhe ka lënë fëmijët Albulenën e Arianin. Fëmijëve të tij ua kushton kujdesin e duhur amtar, e ëma e tyre, Hava. Të cilët po rriten të lirë dhe krenarë në Kosovën e çliriar nga kthetrat e robërisë sllave.
Pas mbarimit të luftës, Shtabi i Përgjithshmëm i UÇK-së, dëshmorit Myrtë Zeneli post mortum e gradon me gradën e kolonelit.
Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, i ka ndarë mirënjohje. Po ashtu mirënjohje për trimëri dhe përkushtim luftarak i ka ndarë edhe Zona Operative e Dukagjinit.
Ishte ndër luftëtarët e parë të Shqiponjës (ish- Jabllanicës), ndërsa edhe dëshmori i parë i saj. Gjatë luftës nga ky fshat i trimërisë tradicionale, ranë edhe dhjetë dëshmorë të tjerë. Trupi i tij, së bashku me kujtimin e paharrueshëm, pushon në varrezat e fshatit të lindjes, së bashku me dëshmorët e tjerë të rënë në luftën heroike të UÇK-së.