Snopçe: LSDM po taktizon me Ligjin për Shtetësi – javën tjetër e bllokojmë sërish Kuvendin (VIDEO)
Shqyrtimi i projekt/ligjit për Shtetësi, të dakorduar mes opozitës shqiptare dhe Qeverisë, ende nuk ka filluar në Kuvend. Në një prononcim për gazetën LAJM, deputeti i koalicionit ASH-AAA, Halil Snopçe, tha se kjo ndodh pasi krytari i Komisionit Parlamentar për Mbrotje dhe Siguri, deputeti i LSDM-së, Mile Talevski, nuk po cakton mbledhjen e këtij komisioni ku duhet të nis debati për pr/ligjin e Shtetësisë. Snopçe paralajmëroi se opozita shqiptare do të bllokojë sërish Kuvendin nëse shumica parlamentare vazhdon të taktizojë dhe mundohet të manipulojë me miratimin e Ligjit për Shtetësi.
“Sipas logjikës dhe rrjedhave të deritanishme, komisioni amë për shqyrtimin e Ligjit për Shtetësi që është Komisioni Parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri, deri më tani është dashur të mbajë mbledhjen për shkak se kanë kaluar tre javë që palët, nga njëra anë koalicioni ASH-AAA dhe nga ana tjetër Qeveria, janë dakorduar për versionin e fundit të Ligjit për Shtetësi. Pra, është bërë marrëveshja përfundimtare, drita jeshile është dhënë nga të dyja palët, ndonëse nuk kemi marrëveshje me shkrim por në ato takimet tona është dhënë dakordësia, ne e kemi versionin përfundimtar të Ligjit për Shtetësi, të ndryshuar dhe nuk asnjë pengesë që të mos nisin procedurat e shqyrtimit, fillimisht në Komisionin amë. Por, përse kryetari i Komisionit amë nuk e cakton mbledhjen për nisjen e shqyrtimit të Ligjit dhe normalisht faza finale, votimi i Ligjit në Parlament konfromë marrëveshjes, unë nuk e di. Vetëm mund të supozojmë. Mbase është njëfarë taktizimi i palës qeveritare, ku është problemi nuk e di. Ata ndoshta mund të jenë mësuar të taktizojnë dhe të sjellin vendime konform asaj fryme që ne do të japim premtime, do të merremi vesh por punë do t’i mbajmë zvarrë. Nëse është ky taktizim, ne nuk do të presim pafundësisht, mund te presim edhe një javë dhe normalisht nëse kryetari i Komisionit përkatës që është përfaqësues i LSDM-së nuk e cakton mbledhjen, ne do ta riaktivizojmë bllokadën e Kuvendit me qindra dhe mijëra amendamente, siç e bëmë parapaktisht. Ne jemi shumë serioz, ishim shumë serioz edhe në bërjen e kompromisit, u dakorduam që çështja e tre dëshmitarëve të zëvendësohet me 15-16 pika tjera ku qytetarët do të kenë mundësi që të tregojnë një dokument për të konstatuar shtetësinë e atyre që kanë probleme. Ky ligj duhet të miratohet. Nëse vazhdon me këtë taktizim të Qeverisë, atëherë nuk ka opsion tjetër, ndoshta prej javës tjetër do ta aktivizojmë bllokadën dhe ne dëshmuam se kemi kapacitet që të bëjmë krizë parlamentare. Ne si koalicion jemi shumë parimor, por nëse LSDM është mësuar me stilin që vepron me BDI-në, me fjalë dhe premtime boshe, me ne nuk do të shkojë ashtu. Pra, ata do të mashtrohen nëse mendojnë se me ne i lëjnë punët zvarrë. Unë prisja që këtë javë të futet në orar mbledhja e Komisionit, por s’kam parë diçka të tillë. Kjo mund të ndodh edhe sot për nesër dhe mund të presim edhe këtë javë, por jo më tepër. Ne treguam korrektësi me zhbllokimin e Kuvendit kur nisën negociatat për Ligjin për Shtetësi, por nuk do të lejojmë që të manipulohemi”.
Kush është kryetar i Komisionit amë që po e zvarrit Ligjin për Shtetësi?
“Kryetar i Komisionit amë është deputeti i LSDM-së, Mile Talevski. Pra ai është personi që në mbledhjen e parë, më 5 mars e lexoi Mendimin e Qeverisë që ishte një mendim nihilist, shumë kundër kësaj pune, një mendim shumë i vrazhdë antishqiptar, si në ato periudhat komuniste dhe ky e lexoi dhe ishte i vendosur në atë që ky ligj nuk kalon në asnjë mënyrë. Por, ja që ne dëshmuam që kemi kapacitete të bllokojmë dhe dëshmuam palën qeveritare të ulet me në dhe të gjejmë një zgjidhje kompromisi e cila në njëfarë forme është e dakorduar dhe presim vetëm procesimin e asaj zgjidhje, që tani fatkeqësisht, tre javë nuk procesohet. Nëse kështu vazhdon ne s’kemi zgjidhje tjetër, do ta aktivizojmë bllokadën e Kuvendit, që është mjeti i vetëm demokratik”, tha Halil Snopçe, deputet i koalicionit opozitar ASH-AAA./Gazeta LAJM