Kolumna

Snopçe: Hidrocentralet po e shndërrojnë Malin Sharr nga Park Kombëtar në “Vrimë Kombëtare”

Mali Sharr, Park Kombëtar apo vrimë kombëtare?

Halil Snopçe/fjalim në Kuvend
Ideja që mali Shar të shpallet park kombëtar, e mbaj mend nga fëmijëria ime.
Në vitet e fundit, drunjtë janë prerë, gjuetia e kafshëve të egra dhe të rralla ka qenë jashtë kontrollit, dhe në fund kulmi do të jetë fillimi i ndërtimit të hidrocentraleve. Premtimet për të shpallur një park kombëtar kanë vazhduar për vite me radhë, me shpjegime të procedurave përgatitore dhe procedurave burokratike. Ndërkohë, të njëjtat autoritete që duan të shpallin Malin Sharr Park Kombëtar, kanë dhënë koncesione për ndërtimin e hidrocentraleve, duke e ditur që zona së shpejti duhet të shpallet një zonë e mbrojtur. Politika në bashkëpunim me grupet e interesit të biznesit blenë kohë për këto ndërtime. Kjo është kontradiktore për të besuar në sinqeritetin e plotë të këtij projekti në tërësi.

Për shkak të ndryshimit të mënyrës tradicionale të jetës në rajon dhe në përgjithësi, varfërisë në rritje dhe paqëndrueshmërisë politike, vlerat natyrore të Malit të Sharrit janë nën presion të fortë antropogjen. Kjo shkakton kërcënime të shumta që mund të çojnë në degradim dhe shkatërrim të të gjitha vlerave natyrore. Kërcënimet kryesore janë:
– braktisja e praktikave tradicionale në qëllimin e përdorimit të tokës dhe përdorimi i burimeve natyrore, të cilat ndryshojnë dhe varfërojnë larminë e peizazhit,
– urbanizmi dhe infrastruktura e parregulluar (hapja e rrugëve, vikend-shtepizat, objekteve hotelierike, etj.),
– kyçje ilegale,
– përdorimi i pamatur i burimeve ujore (veçanërisht për marrjen e energjisë elektrike),
– përdorimi i tepruar i disa bimëve medicinale dhe aromatike,
– gjuetia dhe peshkimi i pakontrolluar, etj.
– ndryshimet klimatike

Fakti që deri më tani janë ndërtuar, janë në ndërtim ose janë planifikuar rreth 70 hidrocentrale të vogla është një nga çështjet më të rëndësishme dhe një kërcënim për ruajtjen e natyrës së Malit Sharr. Deri më tani, strukturat në lidhje me hidrocentralet janë prezente në mal, në 26 lokacione, nga të cilat 16 lokacione janë përfshirë në zonën e propozuar për mbrojtje. Brenda zonës së propozuar për mbrojtje, janë lidhur marrëveshje koncesioni për 8 lokacione të lidhura me hidrocentrale të vogla, për të cilat ose nuk është lëshuar leje ndërtimi ose ndërtimi nuk ka filluar akoma, dhe planifikohet ndërtimi shtesë i objekteve të hidrocentralve në 32 vende të tjera .

Sipas organizatave të shoqërisë civile, pas disa muajsh procesi konsultativ për shpalljen e një pjese të Malit Sharr park kombëtar, qeveria miratoi një projektligj i cili nuk siguron mbrojtje nga problemi më i madh mjedisor në mal, hidrocentralet e vogla. Me këtë, Qeveria po shkel ashpër Konventën e Bernës.

Drejtorja e Inspektoratit të ambientit jetësor Ana Petrovska në muajin nëntor pat paralajmëruar që nga ndërtimi i hidrocentralit në Malin Sharr, në lokacionin e Leshnicës mund të ndotet uji për pije dhe të rrezikohen qytetarët e Tetovës të mbesin pa ujë. Pat ngritur dyshime për lejet e ndërtimeve. Dhe pikërisht sot ai paralajmërim bëhet realitet. Organizatat ambientaliste dhe ekspertët me vite ju kanë paralajmëruar për këto pasoja katastrofale. Ndërtimi i hidrocentraleve të vogla dhe rrugët që ndërtohen deri te ato krijojnë fenomene të erozionit dhe rrëshqitjeve të tokës që shkaktojnë dëme të pakthyeshme në strukturat unike të relievit në gryka dhe paraqesin një rrezik të madh në kohë shiu të madh dhe përmbytjesh.

A e dini se javët e fundit Tetova ka qenë pa ujë dy herë nga një javë, në kohë pandemie? Arsyet: në Malin Sharr, në lokacionin e Leshnicës në kaptazhën e posandërtuar ka rrëshqitje të mëdha të dheut me çka është dëmtuar seriozisht rrjeti. Pasojat: vetëm 300 metra afër kaptazhës është ndërtuar një nga mini-hidrocentralet e shumta që po shkatërrojnë natyrën në Malin Sharr. Sipas Kombeve të Bashkuara “Erozioni i tokës ose rrëshqitja e dheut është një katastrofë që kryesisht është si pasojë keqpërdorimit njerëzor të tokës. Kjo dukuri mund të kapërcehet nëse praktikat e menaxhimit të tokës përmirësohen dhe bëhen më të qëndrueshme.”

Shoqata Eko-Svest dhe Shoqatat e Maqedonase ekologjike kryeministrit i është drejtuar me një letër ku ju kërkon të ndalojë ndërtimin e hidrocentraleve të reja duke elaboruar në detaje të gjitha arsyet. Këto hidrocentrale të vogla kontribuojnë në sistemin kombëtar të energjisë me rreth 4.6% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike ndërsa nga xhepi i qytetarëve nga faturat e energjisë elektrike marrin rreth 13 milion euro subvencione do vit. Dëmi që i shkaktohet lumenjve, florës dhe faunës, natyrës dhe fshatrave si në Mavrovë si në Sharr është i përmasave të mëdha. Qeveria me këtë subvencionon EKOCID duke shkatërruar natyrën?

Në fshatrat Tearcë, Dobrosht prej fillimit të ndërtimit të hidrocentraleve banorët janë të privuar nga e drejta për ujë të pijshëm? Ata duhet të blejnë ujë për pije në shishe.

Parlamenti i Bosnjës dhe Hercegovinës në muajin shtator të vitit të kaluar solli ligj me të cilin ndalohen hidro-centralet e vogla? Qeveria e Malit të Zi e ka ndaluar ndërtimin e hidro-centarleve të vogla? Dhe kush është Maqedonia që me kaq ngulm shkon në drejtim të kundërt duke shkelur edhe Konventat ndërkombëtare dhe Kushtetutën. A do merr dikush përgjegjësi për këtë EKOCID të subvencionuar nga Qeveria?

Qytetarët duan të dijnë çfarë është pengu te Hidro-Mafia? Grykësia për përfitime materjale nuk mund të jetë mbi shëndetin e njerëzve dhe shkatërrimin e natyrës.