Sllupçan, përkujtohen 10 martirët e familjes Zymberi
Në praninë e familjarëve, veteranëve e invalidëve të luftës, si dhe mysafirëve tjerë, sot, në varrezat e dëshmorëve në Sllupçan janë përkujtuar 10 anëtarët e familjes Zymberi, të cilët ranë në altarin e lirisë gjatë luftës së vitit 2001.
Familja Zymberi nga Sllupçani, që nga vitet e 90-ta ka të shtuara aktivitetet në grumbullimin e armatimit dhe organizimin për liri. Familja Zymberi gjatë luftës së Kosovës ishin shumë aktiv e të mobilizuar në çdo lloj mënyre për t’i ndihmuar vëllezërit nga Republika e Kosovës.
Edhe në fillim të luftës së vitit 2001, shtëpitë e Zymberajve u bënë depo të armatimit për furnizimin e UÇK-së.
“Më 24 maj të vitit 2001, që në orët e para të mëngjesit filloi granatimi nga të gjitha anët si asnjëherë më parë, në ora 10:00 e paradites nga sulmet e armikut me helikopter hodhën një granatë, e cila depërtoi në bodrumin e familjes dhe aty bëri masakrën e paparë ku mori jetën e 10 anëtarëve të familjes, si dhe 32 të plagosur të tjerë, kush më pak e kush më shumë. Edhe pse granatimet vazhduan pandërprerë, motrat tona dhe mjekët tanë në aso rrethana erdhën për t’ua dhënë ndihmën e parë, e ku pastaj erdhi edhe Policia Ushtarake në krye me Abedin Zymberin.”, – theksoi para të pranishmëve, anëtari i familjes Zymberi – Sllupçan, Samir Zymberi.
Në nderim dhe përkujtim të përhershëm të martirëve, e sidomos fëmijëve të vrarë në këtë masakër që iu bë 23 vite më parë familjes Zymberi, me propozim të kryetarit të komunës së Likovës, Erkan Arifi, pritet që çerdhja e dytë e sapondërtuar në fshatin Mateç, të emërtohet me emrin e ndonjërit nga fëmijët e rënë të familjes Zymberi.
“Ne si komunë e Likovës kemi ndërtuar çerdhen e dytë në nivel komunal, e cila do t’u shërbejë fëmijëve, dhe me këtë rast unë personalisht në cilësinë e kryetarit të komunës së Likovës vendosa që të propozoj deri në këshillin e komunës sonë, që ajo çerdhe në fshatin Mateç të emërtohet me një nga emrat e familjes së martirëve Zymberi, për arsye se kemi fëmijë të cilët ranë martirë, dëshmorë të moshës 4 apo 5 vjet, që në atë moshë është dashur të shkojnë në çerdhe, por ja që kjo familje dhe ata fëmijë sakrifikuan gjithçka nga vetja.”, – theksoi kryetari i komunës së Likovës, Erkan Arifi.
Në nderim të martirëve të familjes Zymberi kishin ardhur edhe përfaqësues të Klubeve të Karatesë “Shkëndija” nga Tetova, “Forca” nga Shkupi dhe “Besa” nga Sllupçani. Më pas të gjithë të pranishmit bënë homazhe tek varrezat e dëshmorëve të rënë gjatë luftës së vitit 2001./TVM2