Skandali në onkologji, Mizrahi e VMRO-së kërkon përgjegjësi politike
Përplasje në mes anëtarëve të Komisionit Hetimor për Onkologji u zhvillua në seancën e sotme. Ata nuk u dakorduan për konkluzionet e punës së mëparshme për përcaktimin e përgjegjësisë politike. Kryetarja e Komisionit Hetimor për skandalin në Onkologji, Rashela Mizrahi, në seancën e sotme ka bërë të ditur se për shkak të shkeljes së parimeve kushtetuese, përgjegjësi politike për skandalin në klinikën onkologjike është konstatuar për ish ministrin e shëndetësisë Venko Filipçe, drejtorët e mëparshëm Nino Vasev dhe Nehat Nuhi , drejtoreshën e atëhershme Irina Sotirova Bukova dhe drejtorëve të atëhershëm të Fondit të sigurimit shëndetësor Stevo Krtsevski dhe Faton Ahmeti.
RASHELLA MIZRAHI, KRYETARE E KOMISIONIT ANKETUES PËR ONKOLOGJINË
“Për shkak të shkeljes së parimeve kushtetuese, mosveprimit në përputhje me kompetencat e parapara me ligjet në fushën e shëndetësisë si dhe si shkeljes të rregulloreve pozitive nga aktet nënligjore që rregullojnë organizimin, funksionimin dhe kontrollin e objekteve shëndetësore, përgjegjësi politike për skandalin në Klinikën Universitare për Radioterapi dhe Onkologji është konstatuar për ish-ministrin e shëndetësisë Venko Filipçe, drejtorëve të mëparshëm Nino Vasev dhe Nehat Nuhi, drejtoreshës së atëhershme Irina Sotirova Bukova dhe drejtorëve të atëhershëm të Fondit të sigurimit shëndetësor Stevo Krtsevski dhe Faton Ahmeti”.
Pas prezantimit të këtyre konkluzioneve nga Mizrahi, kanë reaguar deputetët e LSDM-së, të cilët theksuan se nuk pajtohen me këto konkluzione sepse, siç thanë ata, janë konkluzione vetëm të deputetëve të VMRO-DPMNE-së. Deputeti Nenad Kociq tha se deputetja Rashela Mizrahi po e keqpërdor pozitën në Komisionin Anketues për Onkologji dhe kërkoi dorëheqjen e saj.
NENAD KOCIQ, DEPUTET I LSDM-SË
“Ky është një shpërdorim i detyrës politike që i është besuar nga Kuvendi.Ajo abuzoi me pozitën e saj në kurriz të pacientëve dhe të vërtetës. Konkluzionet e tyre i paraqesin si konkluzionet e komisionit dhe tani ikin nga vazhdimi sepse nuk kanë çfarë të thonë për të arsyetuar sjelljen e tyre”.
Mizrahi duke sqaruar konkluzionet theksoi se dokumenti kyç që konstaton parregullsitë në punën e Klinikës së Onkologjisë është raporti i Entit Shtetëror të Revizionit për vitin 2021,siç tha ajo, enti shtetëror i revizionit si institucion i autorizuar raportin e ka publikuar në prill të vitit 2023 i cili edhe në fazë të përgaditjes i është prezentuar përfaqësuesëve të Ministrisë së shëndetësisë, si dhe drejtorëve të Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë .