Maqedoni

Ska më “78 për qind”, do të ulen rrogat e funksionarëve

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi ka paralajmëruar se sot në Qeveri do të parashtrohet zgjidhje ligjore për Ligjin për paga të personave të zgjedhur dhe të emëruar, për një zgjidhje më të drejtë, me të cilën do të lirohen një pjesë e fondeve për masa antikrizë për kategoritë më vulnerabël të qytetarëve.

“Javën e kaluar Qeveria ka marrë vendim dhe na ka angazhuar një grup punues prej katër ministrave për masa të reja antikrizë. Nesër do të japim edhe zgjidhje ligjore për Ligjin për rrogat e personave të zgjedhur dhe të emëruar për një zgjidhje më të drejtë, me të cilën, do të lirojmë një pjesë të mjeteve financiare për masa antikrizë për kategoritë më të ndjeshme, sepse kjo është kyçe në periudha kohore kur të gjithë duhet të tregojmë solidaritet”, paralajmëroi mbrëmë Bytyqi në emisionin “24 Analizë” në televizionin 24.

Ai tha edhe se me ridedikimin e buxhetit do të ketë pako të re të masave antikrizë prej reth 70 milionë eurove, të cilat do të dedikohen për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve.

Ligji për pagën minimale është një ligj që, tha ai, duhet të respektohet si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat dhe harmonizimi i radhës duhet të bëhet në muajin mars, kur paga minimale do të përshtatet me normën e inflacionit dhe rritjen e pagës mesatare, ndërsa pensionet harmonizohen dy herë në vit.

Ndër të tjera, zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se edhe investimet e huaja në vend po rriten dukshëm.

Sipas tij, kulmi i investimeve pas anëtarësimit në NATO u vonua për shkak të krizës së Kovidit, por që tani po vjen. Njëkohësisht, ai theksoi se janë duke u zhvilluar negociatat përfundimtare me kompanitë koreano-jugore Hundai dhe LG për të sjellë një pjesë të prodhimit në vendin tonë, ndërsa kompani të tjera si Gerc’hajmer, Tehnical tekstajl, Vik po hyjnë në ciklet e ardhshme të investimeve.

Në të njëjtën kohë, thotë Bytyqi, përkrahen kompanitë vendore dhe përkrahen 919 kompani maqedonase, të cilat kanë realizuar 500 milionë investime, të cilat janë mjaft konkurruese për tregun e hapur të BE-së.