S’ka çezme e ujë në Poliklinikën në Çair! Drejtoria thotë vidhen nga vetë pacientët
Pacientët të cilët shkojnë për kontroll në Poliklinikën në Çair ankohen se nuk kanë ku t’i lajnë duart dhe ku të shkojnë në tualet për nevoja personale. Kjo pasi çezma nuk është funskionale, tavani është i çarë, e as dritë nuk ka.
“Pacientët që vijnë në këtë poliklinikë në Çair janë të revoltuar pasi në kohë pandemie nuk kanë ku t’i lajnë duart e as ku të shkojnë në tulatet. Kërkojnë nga autoritet që kjo çështje menjëherë të zgjidhet. Nga udhëheqësit e poliklinikës thonë se tualetet janë rinovuar para 4 viteve, por pacientët po i vjedhin çezmat e dritat”, Arbana Qerimi Klimenta – gazetare TV21.
Udhëheqësi i Poliklinikës në Çair, Selajdin Memeti, thotë tualetet mirëmbahen por se ka pacientë që vjedhin materialet sanitare. Premton se të gjitha tualetet do të rinovohen muajin e ardhshëm.
“Të gjitha tualetet në poliklinikën e Çairit janë të rinovuar para 4 viteve, por për higjienën e tyre kujdesen mirëmbajtësit e higjienës sipas orarit të caktuar. Disa herë prej kur kanë qenë të rinovuar tulatet kemi pas raste që janë vjedhur çezmat e tualeteve, sapuni i lëngshëm, dritat, kapakun e WC-së. Gjatë ditëve në vazhdim do të ndërmerren masa konkrete për rregullimin sanitar dhe pastrimin e tualetet”, tha për TV21, Selajdin Memeti – udhëheqës i Poliklinikës në Çair.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se përgjegjësi për mirëmbajtjen e poliklinikave e kanë Institutet e Shëndetit Publik të cilët janë persona të pavarur juridikë dhe të njëjtit menaxhojnë me institucionin dhe kujdesen për funksionimin e duhur që qytetarët të kenë një kujdes shëndetësor cilësor.